Menaxhim

Shtëpia e ish-diktatorit Hoxha do të kthehet në hotel, Rama fton privatët të ringjallin vilat qeveritare

Nga Gazeta ‘SI’- Nisma e qeverisë për të rikthyer në jetë rezidencat jofunksionale qeveritare do të përfshijë edhe vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha në Vlorë, dhe një rezidencë në Velipojë.

Gara u prezantua nga kryeministri Edi Rama i cili theksoi se projektet do të zhvillohen nga privatët por shteti do të jetë parner dhe garantor, duke i shndërruar rezidencat në një burim tjetër të ardhurash.

“Eksperienca e dy rezidencave këtu në Tiranë që tanimë janë transformuar njëra anë një shtëpi pritjeje të shtetit shqiptar për personalitete të fushave të ndryshme dhe tjetra në një qendër për artistë të rinj nga e gjithë bota, në bashkëpunim me fondacionin e njohur francez Art Eksplora, na kanë treguar se është rruga për t’i kthyer këto asete në funksione me interes publik dhe për t’i rijetëzuar duke e futur shtetin si partner dhe duke i dhënë mundësi sipërmarrjes që t’i transformojë në burim të ardhurash. Ky është rasti i dy projekteve për të cilat bëhet konkursi i sotëm. Njëri për vilën e udhëheqësit dhe diktatorit në Vlorë dhe një tjetër rezidencë qeveritare në Velipojë. Rrugë e re, që ne po e shkelim, besoj me sukses, por mbi të gjitha ku po shikojmë potencialin e madh që ka vënia në shfrytëzim e aseteve shtetërore për ta përfshirë publikun përmes shtetit si një palë e interesuar, duke ndryshuar hap pas hapi edhe formulat e ndërveprimit me privatin, të cilat deri dje kanë qenë shumë bazike.”, u shpreh Rama.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro nënvizoi se rijetëzimi dhe aktivizimi i aseteve të periudhës së diktaturës është një formë për t’i treguar brezit aktual dhe atyre që do të vijnë mbi të kaluarën por edhe një kartëvizitë për turistët të cilët kanë ardhur në rritje nga viti në vit dhe që vetëm në katër muajt e parë të këtij viti janë 7 për qind më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Më herët, Korporata e Investimeve pati publikuar listën e sipërmarrjeve private të interesuar për rijetëzimin e godinave qeveritare, nisma “Hospitality Albania”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë