Histori

Shtëpia e Faik Konicës – Më shqiptarja në gjithë Shqipërinë

“Shtëpi më shqiptare se imja nuk ka në gjithë Shqipërinë. Një shkrimtar frenk, duke folur për gjyshin e gjyshit tim, Zejnel Bej Konicën, e bija e të cilit ish e ëma e Ali Pashë Tepelenit, thotë: ‘Ky bej i Konicës ish një i fuqishmë bej shqiptar, i lidhur nga gjaku me më të parat shtëpi shqiptare të Toskërisë, e martesa e së bijës së tij, Hanko, me Veli Bej Tepelenin, i dha këtij forcë e madhësin’ e Ali Pashës”, shkruante shkrimtari dhe publicisti Faik Konica, ndërsa drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi ka postuar në profilin e tij në Facebook, një fotografi sesi duket sot ajo shtëpi. “Ka qenë viti 2008 kur e vizitova për herë të parë Konicën, vendlindjen e Faik Konicës. Ishte e pamundur të mos ndjeje në ajër si një frymë, eruditin, kozmopolitin e njëherësh një nga etërit e shqiptarizmës”, shkruan Koçi, ndërsa përshkruan qytetin. “Konica, ky qytet, shtrihet si gliko Leskoviku në pjatë, mes maleve me ngrica, në hyrje të tij kish dalë të më uronte mirëseardhjen vetë Faik Konica”.


Shtëpia, në Konicë, u ndërtua në vitin 1771, ndërsa pas luftës së Dytë Botërore shërbeu si shkollë e mesme. U dëmtua rëndë nga një tërmet në vitet 1990 dhe u bë e pabanueshme. Faik Konica u largua nga kjo shtëpi rreth vitit 1885 dhe nuk u kthye më kurrë, kryesisht për shkaqe politike.Gazetari Ilir Ikonomi, i cili është edhe autor i librit “Faik Konica, jeta në Uashington”, e zbuloi këtë shtëpi më 2010-ën. “Ishte një pamje vërtet trishtuese, sepse çatia dhe dyshemetë e kateve brenda ishin shembur plotësisht, ca nga koha e ca nga një tërmet në vitin 1996. Disa trarë, që vareshin si pendulë, dukej sikur do të këputeshin mu në sytë e mi”, shkruante Ikonomi. Deri në një farë lartësie, muret e jashtëm ishin prej guri ngjyrë gri të gdhendur dhe i kishin qëndruar kohës për bukuri.

“Kjo duhet të ketë qenë pjesa e hershme e shtëpisë, e ndërtuar që më 1771-shin sepse, siç mora vesh, ajo qe rindërtuar shtatëdhjetë e ca vite më vonë. Edhe qemeri i portës kishte mbetur i paprekur. Në të dyja anët e tij kishte nga një pllakë guri ku shkruhej Bismillah al-Rahman al-Rahim dhe fjalë të tjera arabisht që ftonin mysafirin brenda. Dikush qe përpjekur ta lyente shtëpinë nga jashtë me gëlqere, por kjo kishte rënë thuajse krejt”. Shtëpia ishte dykatëshe dhe kishte një bodrum përgjysmë nën dhe. Me sa kuptohej, kati i parë kishte pasur shtatë dhoma. Ndërkaq, dy palë shkallë të harkuara prej guri, që shquheshin me vështirësi në gjithë atë shkatërrinë, të çonin në odat sipër. “Vetëm një gjë nuk qe prekur thuajse fare dhe ky ishte oxhaku i lartë që kishte mbetur si direku i një vapori. Të bënte të mendoje se ndërtuesit e hershëm duhet t’i kishin kushtuar kujdes të veçantë oxhakut si shenjë e sërës së familjes”.


Jashtë në avlli, rrasat e gurit mezi dukeshin nga bari. Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore shtëpia qe kthyer në shkollë të mesme dhe pastaj i pat kaluar bashkisë për ta riparuar. Si duket rindërtimi qe lënë në mes dhe askush nuk kishte vënë dorë më. “Ishte pak a shumë si në ato pamjet e dokumentarit Life After People, që rrëfen se si do të jetë jeta në planetin tonë pasi të jenë zhdukur njerëzit”, shkruan gazetari Ikonomi, në librin "Faik Konica, jeta në Uashington". 
“Befas m’u fanepsën imazhet e largët të një Faiku të vogël, të cilit hoxha i fshatit me çallmë në kokë i mësonte arabisht në shtëpi. Jashtë portës më pushtoi një ndjenjë e pashpjegueshme dhe nisa të shihja me kujdes ku e hidhja këmbën. Po shkelja mbi ato rrasa të avllisë, ku Faiku bashkë me vëllezërit dhe motrat kishin kaluar ditët e gjata duke luajtur nën diellin e ngrohtë dhe në ajrin e kthjellët të maleve”. Vështrova qiellin blu, pastaj majat me borën gati të përjetshme dhe u përpoqa të përfytyroj se si mund të kishte qenë ajo kohë e shkuar. Duhet të kishte qenë tamam ashtu siç e kishte shkruar Faiku: “Kur shkrin dimri, kur qaset vera buzëqeshur, e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Botiçelit, zemra e njeriut shkarkohet nga një barrë, shijon një qetësi, një lumtëri të ëmbël”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë