Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti Joe Biden do të presë të mërkurën Presidentin e zgjedhur Donald Trump në Zyrën Ovale, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Një takim i tillë është i zakonshëm midis presidentit që po largohet dhe presidentit të ardhshëm dhe ka për qëllim pjesërisht të shënojë fillimin e një transferimi paqësor të pushtetit, në demokracinë amerikane.
Republikani Trump nuk e priti demokratin Biden pas fitores së zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Ish Presidenti Trump kandidoi sërish në zgjedhjet e këtij viti dhe mundi Nënpresidenten Kamala Harris. Ashtu si Presidenti Grover Cleveland në fund të viteve 1800, Presidenti Trump do të shërbejë dy mandate të shkëputura, si presidenti i 45 dhe 47 i Shteteve të Bashkuara.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Biden i telefonoi Presidentit të zgjedhur Trump të mërkurën e kaluar për ta uruar dhe për ta ftuar të takohej në Zyrën Ovale.
Në një fjalim që mbajti të enjten, Presidenti Biden tha se e kishte siguruar Presidentin e zgjedhur Trump “se kam urdhëruar të gjithë administratën për të punuar me ekipin e tij për të siguruar një tranzicion paqësor dhe të rregullt. Kjo është ajo që meriton populli amerikan.”
Takimi i tyre është caktuar për në orën 11:00
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.