Shtatorja e Gjergj Kastriotit Skënderbeut 3 metra e lartë ka mbërritur në Itali. Kjo shtatore, me iniciativën e shoqatës “Hora e Skënderbeut” është dhuratë e mërgimtarëve shqiptarë për arbëreshët.
Kjo shtatore madhështore, e cila është vepër e skulptorit nga Prishtina Gëzim Muriqi, do të vendoset në sheshin përballë bashkisë në Horën e Arbëreshëve (Piana degli Albanesi) në Sicili.
Inaugurimi i saj do të bëhet më 30 gusht 2024, që përkon edhe me datën e themelimit të qytetit i cili daton nga viti 1488.
Dhurata për arbëreshët bëhet në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre në ruajtjen e gjuhës, kulturës e traditës arbërore për më shumë se pesë shekuj.
Po ashtu arbëreshët kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm gjatë luftës në Kosovë më 1998-1999, kur ata hapën dyert e zemrat për kosovarët, të cilët ishin të dëbuar dhunshëm nga forcat serbe, gjatë zbatimit të planit të gjenocidit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë përsipër financimin e transportit ndërsa stafi i saj ndihmoi në përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm, në mënyrë që shtatorja e Skënderbeut të niset drejt shtetit italian.
Shumë bashkatdhetarë kanë shprehur dëshirën që të bëhen pjesë e kësaj feste madhështore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.