Rend dhe Ligj

Shtatë shqiptarë të arrestuar për trafik droge dhe vjedhje do të ekstradohen në Spanjë

Gazeta Si – Shtatë shtetas shqiptarë, të cilët kishin kryer vepra të ndryshme penale në Spanjë dhe që strehoheshin në Shqipëri, do të ekstradohen së shpejti.

Lajmin e ka konfirmuar drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij spanjoll.

Nano njoftoi se brenda 48 orëve, në Shqipëri u arrestuan 7 persona, të cilët kishin kryer krime të rënda në Spanjë.

Një pjesë e tyre strehoheshin me identitete të rreme në Shqipëri, duke iu shmangur autoriteteve.

Falë marrëveshje së ekstradimit mes dy vendeve të aktivizuar në 16 mars, të gjithë të dyshuarit do të ekstradohen për të vuajtur dënimin në shtetin e gadishullit Iberik.

Ata akuzohen për vepra të ndryshme penale, si trafik droge dhe sulme në banesa.

Nano shtoi se nënshkrimi dhe zbatimi i detyrimeve të ndërsjella që parashikojnë marrëveshje të tilla, “ndikojnë në parandalimin e krimit” dhe kanë bërë që “Shqipëria të mos kthehet kurrsesi në oaz të lakmuar për shtetasit që janë në konflikt me ligjin”.

Ekstradimit të tyre në Spanjë, mund t’iu bashkohet edhe drejtori i Ujësjellësit të Kurbinit, Alfred Prodani.

Ai u arrestua disa ditë më parë dhe gjykata ka caktuar 40 ditë burg për të vlerësuar masën e sigurisë.

Prodani dyshohet se ka marrë pjesë në disa vjedhje me dhunë të banesave në Spanjë, në të paktën 40 raste.

Mes tyre, dyshohet se është edhe ajo e sulmuesit të Real Madridit, Karim Benzema në vitin 2019.

Një tjetër person që pritet të ekstradohet, është edhe biznesmeni i pllakave dhe hidrosanitareve, Nikolin Janina.

Ai u arrestua para dy javësh në Tiranë, i akuzuar si kreu i një grupi kriminal që merrej me trafikun e drogave të forta prej vitit 2015.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë