Gazeta Si – Një shqiptar është kthyer në hero në Itali, pasi ka shpëtuar një foshnjë që kishte rënë në një liqen të ngrirë.
Në ujërat e ngrira ranë edhe prindërit e vogëlushit, por nuk pësuan dëmtime.
Tomorr Buzi ishte në një udhëtim në liqenin Braies në Trentino Alto Adige, me gruan dhe vajzat e tij.
Ai dëgjoi britmat e një gruaje që kërkonte ndihmë, të shoqëruar nga klithma e një foshnje, djali i saj katër muajsh.
Pa hezituar, Tomorri vrapoi për të shpëtuar të voglin, duke rrezikuar edhe jetën e tij.
Sapo e kuptoi seriozitetin e situatës, 44-vjeçari shqiptar, i cili jeton në Romano di Lombardia, shkoi drejt shtresës së akullit që kishte mbuluar liqenin.
Ecja mbi të do të ishte e pamundur, duke pasur parasysh trashësinë e vogël të akullit, që bëri që 8 persona të binin në ujë të hënën e kaluar.
Buzi u zvarrit dhe u rrotullua me kujdes në akull, për të arritur tek fëmija në rrezik, derisa mundi ta kapte.
“Askush nuk mund t’i rezistonte kurrë klithmave të një gruaje që kërkon ndihmë, aq më pak klithmës së një foshnje, – thotë shqiptari për mediat italiane. – Ai ishte aq i vogël dhe i pafuqishëm. Kur e pashë, i prekur nga instinkti, vrapova menjëherë për ta shpëtuar. Është çështje sekondash në të cilat nuk mendoni për asgjë tjetër veç misionit tuaj”.
Tomorri nuk i kushtoi rëndësi rrobave që kishte veshur, celularit dhe portofolit që kishte në xhep.
Gruaja dhe vajza i bërtisnin të mos shkonte, por ai nuk i dëgjoi.
“Gruaja ime dhe vajzat e mia kishin frikë, unë jo. Në atë moment provova gjithçka. Por kurrë nuk kam pasur frikë për jetën time. Ai fëmijë ishte në rrezik. ndërsa familja ime ishte e sigurt dhe kjo mjaftoi për mua që të ndërhyja”.
Pasi e nxori nga uji i akullt, Tomorr Buzi e vendosi foshnjën në sipërfaqen e ngrirë, duke pritur ndihmë. Ai vetë qëndroi në ujin e akullt dhe pasi mbërriti ndihma të dy u shpëtuan.
“Eca thuajse 100 metra i zvarritur në akull në një luftë të dëshpëruar kundër kohës. Kur arrita aty ku ishin, – vazhdon 44-vjeçari, – nëna me gjithë forcën që kishte e nxori fëmijën nga uji. Ishte e qartë se ajo ishte e rraskapitur. U përkula dhe e kapa”.
Pas disa ditësh, ai ndihet krenar për veprimin e tij dhe nënvizon se si janë edhe gruaja dhe vajzat e tij.
“Më vjen keq, – shton 44-vjeçari nga Shqipëria, – pasi shqetësova familjen time, por e dija që po bëja gjënë e duhur dhe e di që edhe ata thellë brenda vetes menduan të njëjtën gjë. Nëse do të kthehesha, do ta bëja përsëri”.

Gjesti fitoi minuta të vlefshme duke lejuar shpëtimtarët t’i shpëtonin të gjithë. Vogëlushi ishte i sëmurë rëndë nga gjendja e fortë e hipotermisë, por ditën e djeshme është shpallur jashtë rrezikut për jetën.
Tomorri u dërgua gjithashtu në dhomën e urgjencës, por më pas mundi të kthehej në Romano.
Askush nuk do të dinte asgjë për gjestin e tij dhe atij nuk i interesonte. Por dje, brigadieri Davide Frana, nga stacioni Braies që kishte marrë pjesë në shpëtim, telefonoi kryebashkiakun Sebastian Nicoli.
“Ai u prek, – shpjegon Nikoli, – duke kujtuar ato momente dhe heroizmin e bashkëqytetarit tonë. Kjo është arsyeja pse doja të takoja Tomorrin. Doja të kisha nderin t’i shtrëngoja dorën dhe t’i shprehja, në emër të gjithë komunitetit tonë, sa krenarë jemi për të”.
I lumtur dhe i zënë ngushtë, 44-vjeçari, i cili më pas ka marrë edhe telefonatën nga prindërit e fëmijës: “Duan të vijnë të më shohin për të më falënderuar”.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



