Njerez

Shqiptarët, të dytët për refuzime dhe urdhra për t’u larguar nga BE

Nga Gazeta ‘SI’ – Shqiptarët ishin të dytët ndër grupet me më shumë refuzime nga BE-ja për të gjithë vitin 2022 sipas Eurostat.

15.630 shqiptarëve iu refuzua hyrja në një vend të BE-se për shkak të mungesës së lejes apo vizës. Në vendin e parë u renditën qytetarët ukrainas, me 28.890 refuzime. Ndërsa në vendin e tretë qytetarët rusë, me 10.860 refuzime. Numri më i madh i refuzimeve të hyrjes u raportua nga Polonia 23.330, e ndjekur nga Hungaria 15.780, Kroacia 11.800 dhe Irlanda 9.240.

Po ashtu, shqiptaret listoheshin në vendet e para me më shumë kthime. 9.950 shqiptarë u rikthyen nga një vend europian drejt Shqipërisë. Numri më i madh i njerëzve të urdhëruar të largohen nga territori i një shteti anëtar u vu re mes algjerianëve 33.535, marokenëve 30.510 dhe pakistanezëve 25.280.

Ndër vendet e BE-së, Franca raportoi numrin më të madh të shtetasve jo-BE të urdhëruar të largoheshin nga territori i saj 135.650, e ndjekur nga Kroacia 40.525 dhe Greqia 33.500.

Në total, 141.060 shtetasve nga vendet jashtë BE-së iu refuzua hyrja në vendet e BE-së, ndërkohë që 1.08 mln u gjetën që jetojnë ilegalisht në vendet anëtare. Sirianët përbënin numrin më të madh të njerëzve të gjetur të pranishëm ilegalisht në BE 175.960. Shifrat e radhës më të larta u regjistruan për shtetasit e Afganistanit 119.520 dhe Marokut 60.215.

422.400 u urdhëruan të largohen dhe 96.795 u kthyen përfundimisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë