Njerez

Shqiptarët po vdesin rrugëve dy herë më shumë se në BE

Një familje me katër anëtarë u shua në aksidentin e rëndë rrugor të ndodhur në aksin Fier-Vlorë. Viktimat i shtohen bilancit “të luftës” në rrugët shqiptare, ku nga një krahasim i të dhënave që publikon INSTAT dhe EUROSTAT vërehet se në Shqipëri fatalitetet nga aksidentet rrugore janë rreth 60 për qind më të larta se mesatarja e Bashkimit Europian.

Tragjedia e Fierit ishte “e paralajmëruar” vetëm pak ditë më parë, kur INSTAT publikoi raportin për numrin e aksidenteve për 5 muajt e parë të këtij viti. Në këtë raport thuhet se në pesë muajt e parë të vitit 2021 numri i të aksidentuarave, të vrarë e të plagosur ishte 714 persona, nga 513 persona që ishte një vit më parë.

Në pesëmujorin e parë të 2021, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 90 persona nga 58 persona të vdekur në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja me rreth 39 për qind e viktimave të aksidenteve i faturohet kryesisht faktit se në maj të vitit të kaluar vendi ishte në karantinë.

Sipas Instat, në 84 për qind të rasteve shkak i aksidenteve me pasojë vdekjen janë drejtuesit e mjetëve, shkeljet e rregullave të Kodit Rrugor, kryesisht shpejtësia tej normave të lejuara dhe manovrimet e rrezikshme.

Nga një krahasim me vendet e Bashkimit Europian, Shqipëria në 2019-n regjistronte 96 të vdekur nga aksidentet rrugore për 1 milionë banorë, ndërkohë që mesatarja e unionit është 51 të vdekur po për 1 milionë banorë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë