Nga Gazeta ‘SI’ – Shqiptarët janë më optimistët në rajon kur bëhet fjalë për integrimin në Bashkimin Europian.
Sipas Eurobarometit, matur nga Eurostat, më shumë se 80% e shqiptarëve mendojnë se hyrja në BE do të ketë ndikim pozitiv. Në norma të ngjashme janë përgjigjur edhe qytetarët e Malit të Zi.
80% e shqiptarëve po ashtu shprehin një nivel të lartë besimi në bllokun europian, ndjekur nga 79% e qytetarëve të Kosovës.
Besimi në BE është më i ulët në Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje-Hercegovinë, por ende është mbi 50%. Në Maqedoninë e Veriut, 54% e qytetarëve thonë se priren t’i besojnë BE-së, ndërsa 42% priren të mos i besojnë. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, 58% e qytetarëve i besojnë BE-së dhe 37% nuk i besojnë asaj.
Në Serbi, nga ana tjetër, vetëm një pakicë njerëzish i besojnë BE-së – 37%, ndërsa 57% thonë se priren të mos i besojnë.
Të anketuarit nga BE-ja u pyetën nëse ata do të mbështesin “zgjerimin e BE-së për të përfshirë vendet e tjera në vitet e ardhshme”. Në BE në tërësi, 54% e qytetarëve e mbështesin këtë politikë, ndërsa 39% janë kundër.
Zgjerimi i BE-së ka shumicën e mbështetjes në shumicën e shteteve anëtare, por shumica e qytetarëve të Gjermanisë dhe Austrisë e kundërshtojnë atë. Në të dyja vendet, 42% e qytetarëve janë për zgjerim, ndërsa 53% janë kundër.
Në Francë, 41% e qytetarëve janë për zgjerimin dhe 49% janë kundër, megjithëse numri i kundërshtarëve është ulur që nga Eurobarometri i mëparshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.