Njerez

Shqiptarët lindin më pak se më parë, gjirokastritët “më të kursyerit”

Shqipëria vazhdon të plaket…

Të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë se edhe në tremujorin e dytë të 2019-ës numri i lindjeve ka rënë.

Për këtë periudhë kohore rezulton se në Shqipëri janë kryer 6.362 lindje duke shënuar një rënie prej 5,7 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2018.

Po ashtu numri i lindjeve për tremujorin e parë 2019 rezulton 5.986, duke shënuar
një rënie prej 10,1 %, krahasuar me tremujorin e parë 2018-ës.

Edhe pse numri i vdekjeve, për tremujorin e dytë 2019 rezulton 4.777, duke shënuar një rënie prej 5,7 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2018, shtesa natyrore e popullsisë, për tremujorin e dytë 2019 pasqyron një rënie prej 5,5 %, në krahasim me tremujorin e dytë 2018.

Në tremujorin e dytë 2019, shtesa natyrore e popullsisë shënon vlerën më të lartë në qarkun e Tiranës, ku numri i lindjeve tejkalon me 969 numrin e vdekjeve.

Në këtë tremujor, shtesa natyrore regjistron vlerë negative në katër qarqe. Vlera më e ulët shënohet në qarkun e Korçës, ku numri i vdekjeve tejkalon me 93 numrin e lindjeve.
Numri më i ulët i lindjeve, për tremujorin e dytë 2019 regjistrohet në qarkun e Gjirokastrës, me 111 lindje, duke patur një rënie prej 10,5 %, në krahasim me tremujorin e dytë 2018.

Nëntë nga 12 qarqet e vendit pësuan rënie të numrit të lindjeve në tremujorin e dytë 2019, krahasuar me tremujorin e dytë 2018. Rëniet më të mëdha të lindjeve, gjatë kësaj periudhe e shënojnë qarqet Shkodër me 17,7 % dhe Fier me 15,0 %.

Qarqet, të cilët kanë pësuar rritje të numrit të lindjeve janë Kukësi dhe Elbasani.
Plakja e popullsisë është një fenomen që po shqetëson prej kohësh mbarë globin, porn ë Shqipëri shqetësimi bëhet më i thekshëm pasi fenomeni plotësohet me emigracionin herë-herë masiv, aspiratën në masë për tu larguar nga vendi dhe ekonominë e dobët.

Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria po plaket me ritme shumë të shpejta.
Parashikimet e këtij organizmi tregojnë që, grupmosha 65 vjeç e lart do të rritet me gati 20 % deri në 2050-ën, kurse grupmosha 0-19 vjeç do të ulet me më shumë se 10%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë