Para

Shqiptarët kthehen tek leku, bien kreditë në euro. Bankat lehtësuan kushtet për qytetarët dhe bizneset

Nga Gazeta 'SI' - Kredia për sektorin privat është zgjeruar me ritme të larta në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, duke shfaqur një interes të rritur për monedhën shqiptare.

Kjo ka ndodhur masivisht në kredinë për individë, ku kredia në monedhë të huaj është tkurrur dhe ajo në lekë është rritur. Kjo dinamikë është përkrahur edhe nga thellimi i diferencës së normave të interesit të kredisë, kur për euron ato janë rritur, thekson Banka e Shqipërisë. Deri në fund të qershorit 2024, 72.4% e kredisë total për individë raportohet në lekë.

Sipas qëllimit të përdorimit vihet re se kredia për blerje banesash dhe ajo për konsum kanë shfaqur përmirësim të normave me një rritje vjetore prej 15%.

Standardet e kreditimit për individët raportohen lehtësisht më të shtrënguara krahasuar me gjysmën e dytë të vitit të mëparshëm, në reflektim të gjykimit të bankave mbi aftësinë paguese të kredimarrësve dhe zhvillimeve aktuale e të pritura në tregun e banesave. Kushtet dhe termat e kreditimit për kreditë e reja akorduar individëve mbetën thuajse të pandryshuara në gjysmën e parë të vitit 2024. Ndërkohë, edhe raporti i kredive të refuzuara ndaj totalit u zvogëlua duke konfirmuar gatishmërinë e bankave për akomodimin e kërkesës.

Kredia për biznese ka shfaqur një përmirësim të fortë duke u rikthyer në kontribut-dhënësin kryesor në rritjen e kredisë për sektorin privat. Sipas madhësisë së bizneseve, është biznes i madh ai që ka përcaktuar dinamikën pozitive të këtij segmenti, ndërkohë që kredia për biznesin e vogël e të mesëm është ngadalësuar lehtësisht. Në këndvështrimin sektorial, bankat kanë rritur financimin për bizneset në të gjithë sektorët e ekonomisë. E veçanta e këtij gjashtëmujori është rikthimi i kontributit pozitiv të kreditimit për sektorin e industrisë, thekson Banka e Shqipërisë, teksa sektori me më shumë kredi mbetet ai i tregtisë.

Standardet e kreditimit për bizneset mbetën të pandryshuara në tremujorin e dytë, për të pestin tremujor me radhë. Megjithatë në tremujorin e dytë të vitit, bankat perceptuan një situatë makroekonomike më të favorshme dhe një perspektivë më optimiste për treguesit kryesorë makroekonomikë. Kushtet dhe termat e kreditimit për bizneset u lehtësuan, për herë të parë pas nëntë tremujorësh.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë