Njerez

Shqiptarët janë më pak skeptikë në rajon ndaj medias. Rritet besimi tek portalet

Nga Gazeta 'SI'- Besimi i shqiptarëve në media është rritur përgjatë vitit 2024.

Sipas anketës së kryer nga Barometri i Ballkanit, 56% e shqiptarëve të anketuar besojnë informacionet që marrin nga televizioni apo radio (pa përfshirë atë publik). Një vit më parë, ky tregues ishte 50%.

Krahasuar me rajonin, shqiptarët janë më pak skeptikët ndaj medias. Qytetarët e Kosovës kanë normën më të ulët të besimit në media, me 27%.

Anketa tregon një rritje të fortë të besimit ndaj mediave online, portaleve. Gjatë 2023-shit vetëm 25% e të anketuarve i shikonin si të besueshme portalet, ndërsa në 2024-n, përqindja është rritur në 43%. Gjithsesi, më shumë se gjysma, 52% nuk i besojnë portaleve.

Vendet fqinje janë shumë më pak të prirura të besojnë portalet, sipas anketës.

Nga ana tjetër, Barometri tregon një rënie të besimit në median e shkruar, nga 38% një vit më parë në 37% gjatë 2024-s.

Shqiptarët kanë perceptuar më pak “fake news” gjatë këtij viti, 50% e tyre, ndërsa një vit më parë ky tregues ishte 66%.

Shqiptarët kanë një nivel të lartë besueshmërie edhe tek njerëzit që ata ndjekin në mediat sociale dhe 54% e tyre i besojnë informacionet që ato shpërndajnë. Mesatarja e rajonit për këtë tregues është 55%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë