Libra

Shqiptarët ‘i qëndrojnë besnik’ librit fizik por jo gjuhës shqipe

Nga Gazeta Si- Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Instituti Kulturë dhe Edukim për Zhvillim kanë realizuar një sondazh për të vlerësuar standardet e leximit në Shqipëri.

Shqiptarët ende pëlqejnë librin në formatin fizik, ndryshe nga njerëzit nëpër botë ku rreth 35% përdorin format e-books.

82% e të anketuarve kanë thënë se duan ta prekin librin. Rreth 18% e personave që kanë marrë pjesë në sondazh lexojnë në formatin digjital, elektronik apo audiobook.

“Gjithashtu, ky indeks sjell një prirje të pazakontë që po ndodh me gjuhën e leximit të librave ku vetëm 44.5% e lexuesve duan libra shqip, ndërsa 32.6% edhe në anglisht dhe 22.9% edhe në gjuhë të tjera.

Një e dhënë interesante që ka dalë nga ky sondazh është se fushatat për promovimin e librit dhe leximit kanë ndikimin e tyre. Rreth 30% e tyre e pohojnë rëndësinë e tyre. Mësuesit/pedagogët, miqtë dhe libraritë online mbeten rekomanduesit më të mirë për dikë që është në kërkim të leximit.

Ndërkohë, në raport thuhet se rrjeti i bibliotekave, qoftë Biblioteka Kombëtare, bibliotekat e qyteteve apo të shkollave e kanë humbur peshën e tyre gjatë viteve të fundit, krahasuar me disa dekada më parë.

“Vetëm 29% e lexuesve pëlqejnë që të marrin libra në biblioteka”.

Sondazhi është bërë në grupime rastësore gjatë periudhës 1 tetor-3 nëntor 2023.

Sipas intervistave që janë bërë, 82% përqind e shqiptarëve lexojnë. Në një kampionim me 289 intervistues të rastësishëm, ku 43% janë të vendosur në Tiranë dhe 57% në qarqet e tjera si Durrësi, Korça, Shkodra dhe Elbasani, janë përzgjedhur intervistues të moshës 16 vjeç e lart, të cilët janë pyetur: “A lexoni libra?” 18% e të anketuarve (52 persona) janë shprehur se nuk lexojnë libra.  Në grupin e të intervistuarve që nuk lexojnë, 57% përqind shprehen se nuk kanë kohë, 33% parapëlqejnë mediume të tjera si TV, gazeta, Internet, 6% nuk kanë interes dhe vetëm 2% e justifikojnë mosleximin me pamundësitë financiar.

Por, numri i librave të lexuar përgjatë një viti mbetet ende i ulët, nëse e krahasojmë me standardet e UNESCO-s për lexueshmërinë.

Gati gjysma e lexuesve që morën pjesë në sondazh thonë se lexojnë deri në 12 libra në vit, 26.3% e tyre lexojnë deri në 24 libra në vit dhe vetëm 7% lexojnë mbi 48 libra në vit, duke arritur kështu standardet e një lexuesi shumë të mirë në krahasim me vendet e tjera por larg standardeve të UNESCO-s.

“Sot çdo kinez lexon në një mesatare 4-5 libra në vit, çdo amerikan 5-6 libra në vit dhe në vende si Japonia, Finlanda, Suedia, etj., këto tregues janë më të lartë. Duke ju referuar standardeve të UNESCO-s, në Shqipëri ka një shkallë lexueshmërie të ulët. Sipas të dhënave të INSTAT, çdo vit blihen 1 1160 000 libra,, një shifër kjo larg reales, nëse marrim në konsideratë shkallën e informalitetit që ka tregu i librit”, shkruhet në sondazh.

Por shqiptarët duan të lexojnë më tepër dhe kjo konfirmohet edhe tek pyetja e fundit e sondazhit: “Sa libra doni të lexoni gjatë vitit 2024?”

Konkretisht, 37% e pjesëmarrësve shprehen se duan të lexojnë deri në 12 libra, 25.9% deri në 24, 19.7% deri në 36 libra në vit dhe 17.4% mbi 48 libra.

Shumica e individëve në Shqipëri e nisin procesin e leximit gjatë shkollës fillore (44%) dhe 37% gjatë periudhës së kopshtit, konkretisht në moshën 3-5 vjeç. 12% e personave e nisin leximin në moshën 11-15 vjeç dhe 7% e të anketuarve janë përgjigjur se e nisin mbi moshën 20 vjeç.

Duke ju referuar sondazhit, 43% e të intervistuarve shpenzojnë 5.000-10.000 lekë në vit për të blerë libra, shifër që përkon me numrin e librave që lexojnë çdo vit, përafërsisht 10-12 libra. 30% e të intervistuarve janë përgjigjur se harxhojnë 2000–5000 lekë në vit dhe vetëm 11% e tyre (25 persona) thonë se shpenzojnë më shumë se 10.000 lekë.

Ndërkohë, gratë lexojnë më shumë. Mbi 58% e lexuesve në Shqipëri i përkasin gjinisë femërore dhe rreth 42% janë meshkuj.

Mes zhanreve të romanit, pjesëmarrësit në sondazhin tonë thonë se pëlqejnë romanin psikologjik 24.5%, sagën 23.1%, romancën 20% dhe ka një rritje të ndjeshme të zhanrit të misterit dhe thrillerit (mbi 19%).

Duke ju referuar të dhënave, lexuesit shqiptarë nuk kanë dëshirë që të marrin pjesë në klubet e librit dhe për të ndarë përvoja leximi me të tjerët. Vetëm 16.9% thonë se marrin pjesë në një klub libri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë