Treg

Shqiptarët ende kanë frikë të konsumojnë më shumë se përpara karantinës

Gjatë karantinës shumë njerëz krijuan rezerva ushqimore nga paniku i fillimit të një situate të pazakontë. Bumi i shitjeve u përqëndrua tek ekspresët e kafesë, kafeja dhe detergjentët dezinfektues dhe sigurisht ushqimet bazë që bliheshin më shumë se ç'ishte konsumi ditor i një familjeje.

Nëse do të xhironim mbrapsht shiritin fotografik të mendjes në ditët e karantinës, do të habiteshim me atë që u përjetua nëpër supermarkete, dyqane dhe tregjet e fruta-perimeve, megjithëse këto njësi tregtare nuk u mbyllën.

Para karantinës, qytetarët "boshatisin" supermarketet

Radhë të gjata, mbushje karrocash me ushqime, detergjent, letra higjenike, boshatisje raftesh dhe nxitim rrufe që të mos kalohej ora policore.

 “Viti i Ri t’i marrë të keqen Covidit”, do të ishte refreni i atyre ditëve i shitësve për të vënë në dukje një situatë të jashtëzakonshme, por të kënaqshme për xhiron e tyre.

Por, pas heqjes së karantinës, përpos se u tërhoqën nga blerjet për të pasur rezerva, sipas drejtuesve të supermarketeve më të mëdhenj në vend, njerëzit vazhdojnë të rrotullohen tek të njëjtët produkte bazike të  shportës siç janë mielli, makaronat, sheqeri, vaji, por më pak se më parë.

Sipas drejtoreshës ekzekutive të rrjetit të supermarketeve Spar, Elona Hametaj, tani shporta mesatare për një blerës llogaritet në 1000 lekë nga 5000 lekë që ishte gjatë karantinës, ndërkohë që edhe numri  i klientëve zbriti deri në 40% më pak.

“Mund të themi që nuk i jemi kthyer normalitetit të konsumatorëve dhe blerjet e tyre vazhdojnë të jenë bazike. Pasiguria për të ardhmen, ulja e të ardhurave familjare dhe mungesa e transportit publik deri gati një javë më parë kanë ndikuar shumë. Blerjet vazhdojnë të jenë të orientuara në produktet bazë dhe të përditshme ushqimore (produkte të freskëta dhe ushqime të tjera, pa harruar edhe fruta perimet)”, shpjegon për gazetën “Si” Elona Hametaj, Drejtore Ekzekutive e "Spar Albania".

Drejtuesit e supermarketeve të mëdha thonë se megjithëse po rritet numri i klientëve në ditë në dyqane, ndryshe nga ditët e karantinës është ulur vlera mesatare e shportë,  por është rritur gama e produkteve.

Luan Leka CEO i “Conad” i tha gazetës “ Si” se “konsumatorët vazhdojnë ti qasen të njëjtave produkte si gjatë karantinës, por duke ulur sasinë. “Nëse gjatë karantinës shporta mesatare për një familje ishte 3500 lekë në javë, tani ka rënë në 2500 lekë në javë.”

Ndër produktet më të kërkuara në Conad janë Baguette Rustica me Semola. Illy caffe kapsulë normale, ujë natyral Qafshtama, qershi shqiptare cilësia e parë, krem djathi filadelfia, banane, etj.

Rënia e kosumit për shkak të pasigurisë dhe rënies së të ardhurave është një aspekt i sjelljes  së konsumatorëve pas karantinës. Por, tani është shfaqur një tjetër fenomen: blerja gjithnjë e më shumë e produkteve të freskëta. “Gati 20% më shumë, siç edhe po blihen më pak produkte të konservuara, gati 15% më pak.”

Sipas Hametaj kjo po ndodh për arsye se janë hequr kufizimet në orare dhe dyqanet po funksionojnë normalisht dhe frekuentimi i shpeshtë sjell automatikisht rritje të shitjes së produkteve të freskëta dhe ulje të produkteve të konservuara.

“Gjithashtu besojmë se klientët po bëhen gjthnjë e më të vëmendshëm në konsumimin e produkteve të fresketa që rrisin imunitetin dhe ofrojnë një stil jete të shëndetshme”, sqaron Hametaj.

Por ajo që nuk po ndryshon është sjellja e konsumatorëve që kanë të ardhura më të larta se mesatarja dhe i kanë  të qëndrueshme. Edhe pse shporta e tyre lidhet me produket bazike, ata preferojnë ushqime të një cilësie më të lartë dhe më të shtrenjtë siç janë produktet natyrale dhe bio.

“Në industrinë tonë, për  produktet më të shtrenjta të shijeve të veçanta që janë linjat “SPAR Taste of the World” dhe ato premium që është linja e produkteve “Spar Premium” dhe linjat e produkteve BIO dhe Natyral, për shkak të përqëndrimit më të lartë të vlerave ushqyese si dhe pregatitjes së tyre,  nuk kanë patur rritje apo kërkesë të shtuar si gjatë periudhës së karantinës, ashtu sikurse edhe tani. Këto linja produktesh janë të preferuara për familje me të ardhura mujore mbi mesataren, “dhe besoj se në karantinë apo jo, përzgjedhja e tyre nuk do të ndryshojë”, thotë CEO i "Spar".  

Ekspertët shpjegojnë se në kohë krize, qytetarët përpiqen të kursejnë më shumë e të konsumojnë më pak. Ata iu drejtohen produkteve bazike dhe braktisin ato gjysmëluksi dhe luksi sepse nuk arrijnë dot të kenë një vizion për të ardhmen e afërt, ashtu si për të ardhmen në afatmesëm. Aq më keq duke marrë parasysh që kriza e krijuar nga Covid-19 është një situatë e pa ndodhur ndonjëherë më parë, me shumë të panjohura dhe e paqartë për të gjithë.

Sipas Eurostat, i cili ka bërë një vlerësim të nivelit të ardhurave dhe konsumit për vitin 2019 , Shqipëria renditet  e fundit  duke pasur të ardhura vetëm  sa 31 %  e  mesatares së të ardhurave në vendet e Bashkimit  Europian.

Kurse sipas të dhënave të INSTAT shqiptarët punojnë kryesisht për tu ushqyer me 44% të të gjithë buxhetit familjar që shkon për grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, me vlerë mesatare prej 33.436 lekë.

Ndërsa, treguesi i besimit konsumator (TBK) ka treguar perceptimin e qytetraëve për krizën gjatë tremujorit të dytë, duke shënuar gjithashtu nivelin më të ulët historik në 18 vite.

Rënia e TBK-së me 6.3 pikë përqindje pasqyroi përkeqësimin e të katër komponentëve përbërës të treguesit, përkatësisht situatën e përgjithshme ekonomike të pritur në vend, me 10.0 pikë përqindje, situatën financiare të pritur të familjes, me 7.9 pikë përqindje, blerjet e mëdha, me 6.8 pikë përqindje dhe të ardhurat dhe shpenzimet, me 0.8 pikë përqindje.

Ky perceptim reflektohet në realitetin e ri post-karantinë.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë