Irena Beqiraj

Përralla ekonomike e uljes së TVSh-së që vazhdon të vërë në gjumë elektoratin

Çdo eksperiment me normën e TVSH-së, uljet e ngritjet e njëpasnjëshme të saj, rrit çmimet e produkteve dhe shërbimeve në në mënyrë të pakthyeshme për konsumatorin dhe ndikon thelbësisht tek buxheti i shtetit.

Asnjë e re nga fronti i politikë-bërjes ekonomike.Të dyja kahet si majtas si djathtas kanë vite që mbushin faqet e programeve të tyre ekonomike me premtimet e uljes së taksave si zgjidhja çudibërëse për një mori sfidash komplekse me të cilat përballet ekonomia jonë .

Zgjidhja e shpejtë, vizionare, për të siguruar rritje ekonomike, rritje të produktivitetit, rritje të punësimit, që do të zhvillojë sektorët prioritarë ka qenë ,është dhe me sa duket se  do të vazhdojë të jetë ulja e taksave.

Por ka dy arsye përse kjo ide e keqe është rrënjosur dhe rritur në çdo përrallë ekonomike partiake të cilën e quajmë program.

Së pari, kjo lidhet me mungesën e kreativitetit , cektësinë  intelektuale si dhe mungesën e vizionit  për të hartuar politika të mirëfillta ekonomike.

Së dyti, publiku i zakonshëm tërhiqet më shumë nga  zgjidhjet e shpejta dhe të thjeshta të cilat kuptohen lehtësisht. Prandaj polik-bërsit tanë janë të paisur me guximin  për të trajtuar çështje komplekse me zgjidhje të thjeshta edhe pse jo të vërteta, për t’u  u shëndruar kështu në rekordmen votash.

“Do të ulim normën e TVSH-së ( tatimi i vlerës së shtuar ) nga 20% në 15%” proklamon Partia Demokratike. Për ta bërë tërheqëse zgjidhjen e saj  për votuesin, eksponentet e saj me një siguri absurde shpjegojnë -“TVSH është një taksë konsumi e cila nëse zvogëlohet do të çonte në ulje e çmimeve të produketeve të konsumit  duke përfituar kështu, më shumti shtresat e varfra. Kjo masë do të rrisë konsumin, do t’i japë frymarrje biznesit dhe ekonomisë”.

Nëse ulja e normës së TVSH-së do të mund të përkthehej kaq thjeshtësisht në ulje të çmimit nëse ekonomia do të funksiononte në bazë të ligjeve universale , ku 2 puls 2 bëjnë katër dhe 2 plus1 bëjnë tre. Por fatkeqësisht ekonomia nuk është e tillë. Vendimet ekonomike merren nga njerëzit dhe sjellja njerëzore është përcaktuesi bazë i rezultateve të pritura . Si të tilla asgjë rreth saj nuk është kaq e thjeshtë dhe universale.

Në studimin e tyre të vitit 2017“ What goes up may not come doën” (Çfarë ngrihet mund të mos ulet më )  Benzarti, Carloni, Harju dhe  Kosonen analizuan sesi ndryshimet e TVSH-së  në vendet europiane gjatë periudhës 1996-2015 ndikonin në çmimet e mallrave dhe produkteve. Rezultatet e studimit të tyre paraqiten në grafikun e mëposhtëm.

 Sa herë që ka pasur një rritje të normave të TVSH-së, 55% e kësaj rritje është përkthyer në rritje të çmimit që muajn e parë pas ndryshimit. Ndërkohë që në harkun kohor prej tre muajsh rritja e normës është është trasmetuar e gjitha tek çmimi.  (Vijat blu). Kur politikëbërsit kanë vendosur uljen e normës së TVSH-së, vetëm 13 % e uljes së normës është reflektuar si ulje çmimesh për konsumatorin (vija e kuqe ). Pjesa tjetër e uljes është reflektuar në rritjen e fitimeve të biznesit.

Në vitin 2009, Europa hyri në recesion kështu që Franca  ndërmorri një reformë të reduktimit të TVSH-së  me qëllimin madhor uljen e çmimeve për konsumatorin fundor dhe rritjen e konsumit . Për restorantet TVSH u ul nga 19.5% në 5.5% , pra norma e TVSH -së u ul në 14% . Ky reduktim në normën e TVSH-së u reflektua shumë pak në uljen e çmimeve në restorante, të cilat u ulën vetëm me 1.4% duke trasferuar kështu vetëm 10% të uljes së normës së TVSH-së  tek çmimet finale për konsumatorin.  Ndërkohë që  41% e uljes së normës së TVSH-së u reflektua ose u përkthye në rritje të fitimit të restoranteve.

Në Francë, ulja e TVSH-së në vitin 2009 për restorantet u shoqërua me dy rritje të njëpasnjëshme  të TVSH-së - një në vitin 2012 dhe një në vitin 2014. Në Janar 2012, norma e TVSH-së u rrit nga 5.5% në 7%, dhe çmimet  u rritën me 0.75%, duke  trasferuar kështu 50%  të rritjes së TVSH-së tek çmimet. Ndërsa në  Janar 2014, norma  e TVSH-së u rrit nga 7 në 10% (  me 3%)  dhe çmimet në restorante  u rritën me 1.14%, duke treguar që rritja e TVSH u trasmetua 38% tek çmimet që paguajnë konsumatorët.

Megjithëse përpiqen,  aspirantët e përparimit ekonomik që ta shpjegojë thjeshtësisht e qëtesisht, njësoj si  mësuesi i klasës së parë fëmijës së paditur, që kur 2+ 2 bëjnë 4 atëhërë 2+1 bëjnë 3, kjo logjikë nuk  funksionon me taksat . 

Ulja e TVSH-së nuk është një masë efektive për të stimuluar konsumin apo  kërkesën e konsumatorit në tërësi apo për një produkt e shërbim të caktuar . Në të kundërt, eksperienca ka treguar  se ulja e TVSH-së është e dëshirueshme vetëm nëse qëllimi është që të rriten fitimet e biznesit.

Duke qenë se rritjet dhe uljet e normës së TVSH-së  reflektohen në mënyrë disprocionale tek çmimi i produkteve, ku rritja e normës së TVSH-së i rrit çmimet dhe ulja e saj  ndikon fare pak  në to , ndryshimi i shpeshtë i saj qoftë në tërsësi qoftë për mallra e shërbime të caktuara do të çonte në çmime  më të larta të cilat vështirë të ulen sërisht. Kjo do të dëmtonte konsumatorin final, por më së shumti famijet me të ardhura të ulta, të cilat janë kryefjala e fjalimeve politike, dhe shqetësimi vetëm në dukje i çdo politikani .

Çdo eksperiment me normën e TVSH-së, uljet e ngritjet e njëpasnjëshme të saj, përveçse rrit çmimet e produkteve dhe shërbimeve në në mënyrë të pakthyeshme për konsumatorin, ndikon thelbësisht tek buxheti i shtetit.

 TVSH është burimi kryesor edhe i parë i të ardhurave në buxhetin e shtetit. Modelet e stimulimit tregojnë që një  ulje e saj  me 5% do të ndikojë të paktën me  rreth 28 miliard lek ose  rreth 225 milion euro në vit  në  buxhetin e shtetit, çka do të thotë më pak mundësi për arsim, shëndetësi dhe  ndihmë sociale.

Çdo politikan i cili me” lot korkodili “qan e ankohet për rritjen e varfërisë dhe ju premton se do ta shërojë këtë plagë me uljen e TVSH-së  në rastin me të mirë është i paditur dhe nuk di çfarë premton,  në rastin me të keq gënjen. Ka ardhur koha publiku të kuptojë që profecia e uljes së taksave si motorë i zhvillimit ekonomik apo uljes së varfërisë nuk pi më ujë.

Bindja palëkundur  e publikut “se ulja e taksave  është një rrugë e shtruar por që  na shpie drejt kurkundit” është një mundësi për të shtyrë, këdo që aspiron të drejtojë këtë vend, për gjetur shtegun e duhur për zhvillimin e këtij vendi.


Copyright © Gazeta “Si”