Financa Personale

Shqiptarët e përballuan krizën nga pandemia më keq se vendet fqinje

Nga Gazeta “SI” Numri i individëve të prekur nga kriza e pandemisë në Shqipëri është më i larti nga vendet e rajonit, sipas një ankete të Bankës së Austrisë.

Më shumë se gjysma e shqiptarëve, rreth 55%, raportojnë se kanë pësuar një goditje të rëndësishme të të ardhurave në familjen e tyre gjatë vitit të pandemisë, atë 2020.

Maqedonia e Veriut është në vend të dytë pas Shqipërisë, me një normë prej më pak se 40%.

Por Banka analizon edhe goditjen mesatare të të ardhurave për individ nga 2015 në 2019-n, ku përsëri Shqipëria ka nivelin më të lartë, 30%.

65% e familjeve shqiptare pranojnë se kanë pësuar luhatje në të ardhurat e tyre gjatë kësaj periudhe, të madhe ose jo.

Kjo është gjithashtu norma më e lartë ndër vendet e marra në analizë nga Banka Qendrore e Austrisë. Rreth 10% e individëve shprehen se kanë pësuar një tkurrje të pagës së tyre, ndërkohë që rreth 5% shprehen se kanë humbur vendin e tyre të punës.

Shqipëria raporton gjithashtu normën më të lartë të individëve të cilët kanë marrë 1 deri në 2 masa si pasojë e goditjes në të ardhurat e familjes së tyre, me 55%.               

Në një analizë të mëhershme të Bankës së Shqipërisë, u provua se shumica e familjeve shqiptare nuk kishin stabilitet financiare dhe në raste krizë ata mund të rezistonin deri në 3 muaj maksimumi.       

Numri i familjeve të varfra gjatë 2020-s u rrit nga 23 në 27 mijë duke përbërë 30% të familjeve në total.

Burimi kryesor i të ardhurave për një familje shqiptare është puna me 49% të totalit dhe remitancat nga 14-23%. Burimi i tretë është ndihma sociale nga 6-15%.

Burimet e tjera të të ardhurave, si të ardhura nga qiraja apo të ardhurat nga interesat zënë një përqindje fare të vogël, në totalin e të ardhurave. Statistikat tregojnë se së bashku të ardhurat nga puna dhe ato nga emigrantët, përbëjnë rreth 60% deri 80 të totalit të të ardhurave të familjeve, duke pasur një ndikim përcaktues në sjelljen konsumatore dhe financiare të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë