Njerez

Shqiptarët dynden për punë në të zezë drejt Italisë!

Të rinjtë shqiptarë duket se janë drejtuar sërish drejt Italisë në kërkim të punësimit dhe mundësive më të mëdha ekonomike, duke përfituar edhe nga sezoni turistik në vendin fqinj, i cili ofron mundësi të mëdha punësimi në këtë sektor.

Numri i emigrantëve shqiptarë që kanë qëndruar në mënyrë ilegale në Italinë fqinje u rrit ndjeshëm përgjatë vitit 2018 në vendin fqinj, duke bërë që vendi ynë të renditet në vendin e dytë pas Marokut për sa i përket numrit të emigracionit. Duke qënë se qendrojnë në mënyrë të paligjshme duke kaluar afatin tre mujor të qendrimit në vendin fqinj, ata punojnë në të zezë dhe shpesh herë më rroga më të ulëta Në krahasim me një vit më parë, numri i emigrantëve të paligjshëm u rrit me gati 30 për qind, nga 2330 emigrantë të paligjshëm në vitin 2017 në 3025 në 2018. Por sa prej tyre arrijnë të punojnë në mënyrë të rregullt?

Urimi nga Kukësi jeton që nga 2002-shi në Itali, periudhë gjatë të cilës ka paguar rregullisht taksa dhe sigurime shoqërore. “Unë dhe ime shoqe punojmë prej vitesh dhe jemi pajisur me dokumentacione të rregullta. Paguajmë taksa dhe detyrime njësoj si fqinjët tanë italianë, edhe pagat tona janë shumë më të ulëta”, shprehet ai për Gazetën “Si”.

Romë, Itali, Gazeta Si, 15 gusht 2019

Ai është një nga 460 mijë emigrantët shqiptarët në Itali, një pjesë e të cilëve punojnë në të zezë dhe nuk u jepet mundësia të integrohen në jetën sociale italiane. Vetëm 140 mijë shqiptarë kanë marrë nënshtetësinë italiane, ndërkohë që një pjesë e mirë e të rinjve të vendit tonë shkojnë në shtetin fqinj me vizë turistike, në kërkim të punës dhe një jete më të mirë.

Por edhe për muajt që lam pas, numri i shqiptarëve që nuk kanë qenë në gjendje të marrin dokumentacionin dhe lejet e nevojshme duke detyruar të jetojnë ilegalisht në një nga vendet e Bashkimit Evropian, vazhdon të jetë i lartë. Gazeta italiane “Il Sole 24” shkruan se shumica e shqiptarëve që kanë emigruar në 2018-ën drejt italisë i përkasin grupmoshës nga 17-34 vjeç. Ndërkohë nurmi i emigrantëve shqiptarë mbi 35 vjeç që qëndrojnë në Itali në mënyrë të paligjshme është 1100.

Sipas Agjencisë Europiane të Statistikave, në Itali në vitin 2018 u gjetën 27,000 emigrantë të paligjshëm. Pjesa më e madhe e tyre ishin të rinj midis 18 dhe 34 vjeç, me origjinë nga Maroku, Shqipëria dhe Tunizia. Qendra Shqiptare për Qeverisje të Mirë publikoi po ashtu sondazhin e vitit 2018, duke bërë të ditur se papunësia është shqetësimi kryesor i qytetarëve, krahas korrupsionit dhe besimit të ulët tek politika.

Por Italia po qeveriset nga një koalicion mes dy partive populiste të cilat kanë ndërmarra masa të ashpra kundër emigrantëve.

Sipas Denis Osmanit, një të riu shqiptar që punon si kuzhinier në Milano, me ardhjen e populistëve në pushtet, italianët janë bërë edhe më racistë, por ky fenomen nuk reflektohet ndaj shqiptarëve që bëjnë një jetë të rregullt dhe janë bërë pjesë e jetës sociale në vendin fqinj, por ndaj atyre që përfshihen në aktivitete kriminale.

“Italianët janë bërë më racistë me emigrantët në përgjithësi, megjithatë mund të them se qëndrimi ndaj shqiptarëve që punojnë dhe që nuk merren me krime vazhdon të jetë pozitiv. Italianët janë kryesisht racistë dhe paragjykues ndaj atyre që nuk punojnë apo merren me punë të pista”, thotë për Gazetën Si 22 vjeçari. Me ardhjen e Matteo Salvinit fryma e urrejtjes ndaj këtyre emigrantëve është rritur sigurisht, madje dhe sulmet ndaj tyre, sidomos në këtu në Veri. Por nga ana tjetër mund të them se edhe ne shqiptarët e ndershëm jemi gëzuar, pasi ai ka thënë se do të dëbojë të gjithë emigrantët që nuk punojnë, që janë pa letra apo që merren me trafik droge dhe vjedhin, ndërsa ka premtuar se emigrantët që punojnë dhe bëjnë një jetë të rregullt nuk do të preken. Nuk e di sa do ta mbajë këtë premtim, por mbështetja ndaj tij në mesin e italianëve është shumë e madhe”.

Denis Osmani, Gazeta Si, 15 gusht 2019

Shqiptarët e paligjshëm në BE

Sipas Eurostat në vitin 2018, janë identifikuar 34.810 shqiptarë të paligjshëm në të gjithë Bashkimin Evropian. Megjithatë, krahasuar me një vit më parë, numri i tyre ka rënë me 13 për qind, nga mbi 40,000 në 2017.

Ndër vite Greqia ka raportuar numrin më të lartë të emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë pa letra. Në vitin 2018 numri i shqiptarëve që qëndronin në mënyrë të jashtëligjshme në Greqi ishte 11,190, apo sa 32% e totalit të shqiptareve ilegalë në të gjithë BE-në. Në vend të dytë renditet Gjermania, ku sipas Eurostat në 2018-n janë identifikuar 6570 shqiptarë që jetojnë atje ilegalisht, rreth 38% më pak në krahasim me një vit më parë, e ndjekur nga Franca me 4355, Mbretëria e Bashkuar me 3580. Ndërsa në Itali gjatë 2018-s u identifikuan rreth 3025 shqiptarë pa dokumentet përkatëse të qëndrimit, rreth 8% e totalit të ilegalëve në të gjithë BE-në. Numri i tyre në Itali u rrit me gati 600 emigrantë më shumë në krahasim me një vit më pare.-+
2018-a shënoi rritje të numrit të emigrantëve shqiptarë ilegalë në Holandë. Holanda po kërkon që të vendosë sërish regjimin e vizave me Shqipërinë. Në 2018-n u identifikuan rreth 1000 emigrantë ilegalë në Holandë, rreth 2.3 herë më shumë se një vit në parë. Numri i emigrantëve shqiptarë ilegalë në Holandë ka shënuar rritje veçanërisht në tre vitet e fundit.

Një studim i kohëve të fundit i Bankës Botërore tregon se për periudhën 2017-2022, emigracioni neto (diferenca midis njerëzve që largohen dhe ata që vijnë) do të jenë -40,000.

Deri në vitin 2050, Banka parashikon që emigrimi të vazhdojë në të njëjtin ritëm, pra çdo 5 vjet të largohen 40,000 njerëz, duke e çuar numrin e shqiptarëve që zgjedhin të emigrojnë në 280.000 njerëz. Sipas studimit, me rritjen natyrale të popullsisë që shkon në zero dhe nivelit të lartë të emigrimit, Shqipëria pritet të tkurret.

Po ashtu, një studim të botuar kohët e fundit nga Gallup për “ikjen e trurit”, vendet e Ballkanit Perëndimor renditen të parat në Europë. Studimi, i cili u zhvillua mes viteve 2015 dhe 2017, tregon se në Shqipëri 32% e qytetarë duan po ashtu të largohen nga vendi për një jetë më të mirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë