Financa Personale

Shqiptarët “bëjnë pazar” për çmimin e pronave të paluajtshme. Ulje deri në mbi 20%

Banka e Shqipërisë ka raportuar se banesat në vendin tonë shiten me çmime të negociueshme dhe vetëm në 29% të rasteve shiten me çmimin fillestar.

Tregtuesit pranojnë për BSH-në se 39% e pronave shiten me ulje në intervalet nga 5-20% dhe një pjesë më e vogël mund të shitet me ulje më të madhe, mbi 20%.

Sipas Bankës së Shqipërisë, indeksi i çmimeve të banesave gjatë 6-mujorit të dytë 2020 u rrit me 6.2% krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm dhe me 11.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për Tiranën, çmimet u rritën me 2.3% me bazë gjashtëmujore dhe 8.9% me bazë vjetore.

Monitorimi i Bankës u bë në 230 subjekte ndërtimi apo tregtimi të pasurive të paluajtshme. Në 6mujorin e dytë të vitit 2020, 39% e agjentëve raportuan shitje nga 44% gjatë 6mujorit të parë.

Koha mesatare e shitjes së banesave në  vend vlerësohet të jetë mesatarisht rreth 10 muaj. Për Tiranën, subjektet e intervistuara kanë raportuar një kohë mesatare shitjeje prej 9.8 muajsh. Për zonën e Bregdetit dhe për zonat e tjera, koha e shitjes ka mbetur e pandryshuar në përkatësisht 10.6 muaj dhe 11.4 muaj.

BSH raporton se rreth 60% e banesave apo pronave të blera merren me ndihmën e huasë bankare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë