“Për lirinë e vendit, të parët tanë dhanë gjithçka nga vetja. Ne na mbetet t’i kujtojmë sakrificat e tyre mbinjerëzore dhe ta zhvillojmë ekonominë e atdheut, për të siguruar lumturi për brezat që vijnë”, deklaronte pa e fshehur emocionin mbrëmjen e 26 nëntorit 2012 Lazim Destani, pinjolli i suksesshëm i familjes Destani nga Malësia e Sharrit të Tetovës. Ai dhe familja e tij kishin financuar ngritjen e “Shqiponjës” me rastin e 100-Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
“Sa herë që janë në pyetje interesat gjithëshqiptare, duhet të jemi unifikuar e të flasim me një zë. Dallimet dhe traditat kulturore duhet t’i kultivojmë”, thoshte në atë kohë filantropi shqiptar, duke i mëshuar dëshirës pan-shqiptare për të qenë të bashkuar. Por monumenti që ai i dhuroi kryeqytetit të shqiptarëve, nuk solli aspak atë që ai me gjithë zemër kërkoi: bashkimin.
“Shqiponja” ishte vepër e artistit Albi Çifligu, me një lartësi 10 metra (shqiponja, 6 metra e lartë dhe me bazament katër metra). Simboli i kombit shqiptar mblodhi në atë ditë përfaqësues nga të gjitha trevat shqipfolëse. Në sheshin tek rrethrrotullimi i Doganës, në hyrje të Tiranës, i cili pas kësaj u pagëzua edhe ai me emrin “Shqiponja”, u bë zbulimi i monumentit masiv. Ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-kryebashkiaku Lulzim Basha në atë kohë ndiheshin të fortë politikisht. I pari, ndoshta i rrëmbyer atë vit edhe nga festimet njëvjeçare të 100-Vjetorit të Pavarësisë. I dyti, për pozicionin e tij komod në krye të bashkisë më të madhe në vend. “Ky simbol i mungonte Tiranës dhe sot vjen këtu, në këtë 100-Vjetor, derdhur në çelik të rëndë, sepse sot jemi më të lirë dhe më të fortë se dje, sepse sot kjo shqiponjë në fushën e kuqe të flamurit tonë, valëvitet më e fortë dhe më e lirë, kudo ku jetojnë shqiptarët”, deklaronte Basha atë ditë.
Edi Rama, atëkohë në opozitë, e sulmoi menjëherë monumentin e përuruar nga ish-kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Për herë të parë qartazi dhe posaçërisht për këtë monument, Rama foli gjatë një interviste për KlanKosova, në qershor 2016. “Shqiponja është një element shumë identifikues për ne, dihet kjo! Por, vizualisht, shqiponja e flamurit tonë është e jashtëzakonshme, ka një trajtë grafike spektakolare dhe thuajse të pamundur për riinterpretime të suksesshme. Mund të biesh menjëherë në vulgaritet estetik nëse e transferon në një trajtë tjetër! Shikoni, për shembull, se çfarë tmerri estetik është ajo shëmbëlltyra e shqiponjës së flamurit, e vendosur tek hyrja e Tiranës. S’ka asgjë nga pesha dhe finesa e origjinalit në fushën e kuqe të flamurit, zero! Përkundrazi, është një alterim vrastar për sytë, një siluetë agresive në boshllëk”, deklaronte Rama në atë kohë.
Këtë të diel, Edi Rama tashmë në pozicionin e kryeministrit të vendit, u shpreh në një postim në Twitter se “kurrë vulgariteti nuk kishte hipur me më shumë prepotencë në një piedestal si në rastin e “Shqiponjës”. Kryeministri e krahason simbolin e vendosur për 100-Vjetorin e Pavarësisë me atë të një hyrjeje në kazino. “Kurrë vulgariteti s’kishte hipur me më shumë prepotencë në një piedestal, se sa në rastin e kësaj “shqiponje” në mesin e një skenografie pseudoklasike prej hyrjeje në kazino, që natën e bënte hyrjen e Tiranës si skenën e një filmi nga një tregim i Edgar Alllan Poe-s! Më në fund!”, shkruan Rama.
Heqja dje e monumentit ka ngjallur reagimin e ashpër të Sali Berishës, i cili ka akuzuar Edi Ramën dhe Erion Veliajn për akt antikombëtar. “Zografi bis dhe Lal Plehu i tij, në një akt antikombëtarheqin simbolin e kombit, ‘Shqiponjën’ nga sheshi me emrin e saj në hyrje të Tiranës ku u vendos me rastin e 100-Vjetorit të Pavarësisë!”, shkruan ish-kryeministri në Facebook.
Ndërsa për kryedemokratin Basha, “Rama po prish gjithçka që nuk i sjell atij fitim”. “Kur zgjedh për simbol hashashin, Shqiponja Kombëtare të duket vulgaritet. Për Ramën çfarë nuk sjell pará nëxhepat e tij dhe oligarkëve është pa vlerë, ndaj shkatërron Shqiponjën e 100-Vjetorit të Pavarësisë, për miliona euro që i jep një kompanie fantazëm dhe nën sekuestro”, i përgjigjet Basha po në Twitter Edi Ramës.
Ndërkohë pas kësaj deklarate të Bashës ka ardhur një reagim i dytë i Ramës. “Artist! Shqiponja petashuqe e lekut nuk mund të bëhet dot monument tredimensional, sepse kthehet në horror, mu ashtu siç ishte në hyrje të Tiranës me vite me radhë! Po ti s’ke faj, përpara petashuqes bëhesh petë, lekë, lekë, lekë. Nejse, lëre shqiponjën, iku! Shiko veten Artist!”, shkruan Rama.
Edhe deputetja demokrate, Dhurata Çupi, e ka cilësuar një akt barbar të qeverisë Rama heqjen e Shqiponjës nga sheshi”Shqiponja”. Sipas saj, qytetarët nuk do ia falin Ramës heqjen ekëtij simboli. “Simboli i Shqiponjës është një akt barabari kësaj qeverie me shumë dhimbje e them këtë. Ka qenë një ceremoni e jashtëzakonshme në 100-vjetorin e Pavarësisë, ka qenë një sponsorizim ishqiptarëve jashtë vendit të cilët e donin vendin dhe në 100-vjetorin e sponsorizuan atë Shqiponjë. Të gjithë kemi pasur sensibilitetin pozitiv kur e shikonim ndërsa vinim apo dilnim nga Tirana, ka qenë një simbol i jashtëzakonshëm. Në këtë sens them se është një akt barbar dhe qytetarët nuk dot’ia falin kësaj qeverisje dhe nuk duhet t’ia falin në fakt kësaj qeverisje”, u shpreh deputetja demokrate në një intervistë për Ora News.
Ndërsa kreu i Partisë Republikane FatmiMediu shkruan në një postim në Facebook: “Marrëzia e Ramës nuk njeh kufi! Kushtetuta, ligji, institucionet, për të nuk kanë asnjë vlerë. Mjafton vetëm ai dhe mendjae tij. A do të fshijë çdo gjë nga historia dhe kultura e Shqipërisë, çdo gjë që nuk i pëlqen apo që e kanë bërë të tjerë para tij. Paranoja e tij nuk shkon vetëm në mohim dhe mashtrim, por dhe shkatërrim. Si mundet një kryeministër të mos vlerësojë një gjest fisnik prej patriotësh të Lazim Destanit dhe familjes Destani me rastin e 100-Vjetorit të Pavarësisë, të cilët i dhuruan Tiranës shqiponjën, simbolin kombëtar në hyrje të kryeqytetit?! Kjo sjellje dhe përdhosje e Ramës me krahasime banale për të justifikuar çmendurinë e tij, është e turpshme”.
Heqja e “Shqiponjës” u bë në kuadër të rehabilitimit të Unazës së Madhe. Mbikalimi që do të ndërtohet tek Dogana, është pjesë e projektit për zgjerimin e Unazës së madhe të Tiranës. Në muajin shtator tre tenderët u hapën në faqen zyrtare të prokurimeve publike app.gov.al dhe sipas dokumenteve shoqëruese, punimet do të zgjasin për 24 muaj për ndërtimin e tre mbikalimeve me shumë nivele, ku më i madhi pritet të jetë mbikalimi te “Shqiponja”. Të tre projektet synojnë lehtësimin e trafikut në këtë segment të Unazës së Madhe si dhe shpejtësinë e daljes dhe hyrjes në Tiranë nga autostrada Tiranë-Durrës. Kjo është gjithashtu edhe një nga segmentet më të shtrenjta rrugore që ka ndërtuar ndonjëherë Shqipëria.
Tenderi i parë ka një fond limit prej 2.25 miliardë lekësh. Nyja e re që do të ndërtohet do të ketë tre nivele. Një nënkalim do të shtrihet në drejtimin e Rrugës “Dritan Hoxha” duke shmangur rrethrrotullimin për mjetet që nisen drejt daljes nga Tirana për në autostradë. Një mbikalim do të shërbejë për të lidhur rrugën “Teodor Keko” me segmentin vijues të Unazës, i cili do të lidhë “Shqiponjën” me “Bulevardin e Ri”, ndërsa niveli aktual i rrugës do të shërbejë për kthesat. Në dokumentet e tenderit kjo njihet si “Loti 1”. Loti 2 me një kosto prej rreth 1.6 miliardë lekësh ose 12.5 milionë eurosh, përfshin zgjerimin e nyjes te Ura e Lanës me dy nënkalime për të lidhur rrugët e lagjeve ekzistuese në të dyja krahët e Unazës si dhe një nënkalim tjetër më herët. Ura e Lanës në pikën ku Lana kalon poshtë Unazës së Re pritet të zgjerohet në 70 metra. Loti 3 me një kosto prej afro 1.2 miliardë lekësh synon të bëjë me dy korsi lidhjen e Rrugës së Kavajës me Unazën e Re.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.