Libra

Shqipërimi i Orwell, Sokol Çunga: Letërsia që rrëfen realitetin matanë sipërfaqes

Orwell-i nuk e donte komunizmin, por as kapitalizmin, shkruante kritika e revistës amerikane The New Yorker, prandaj “Ferma e kafshëve” u shndërrua në një paralajmërim kundër ndryshimeve politike në vetvete.

Për këtë ndoshta gazetari dhe shkrimtari britanik evokohet në kohë të vështira, me romanet e tij që shihen si profeci që përmbushen.

Më i shituri në listat e Amazon për 2020-n ishte “1984”, realiteti i frikshëm distopik i një shoqërie të vëzhguar vazhdimisht nga syri i “Vëllait të Madh”, duke kryesuar edhe mbi libra të tjerë apokaliptikë.

Një bum të ngjashëm vëmendjeje, shkaktuar kryesisht nga situata me pandeminë botërore të koronavirusit, veprat e George Orwell e patën edhe në fillim të presidencës së Donald Trump, në ShBA.

Më 2017-n, sërish rrëfenja e kontrollit  absolut mbi veprimet dhe ndërgjegjet e njerëzve zgjoi kureshtinë e lexuesve, që gjenin aty pothuaj një pasqyrim të asaj ç’ka po ndodhte në shtetin më të fuqishëm të botës.

Më 2021-shin, është familja Trump që i drejtohet Orwell-it, ku i biri i ish-presidentit  i referohej një realiteti të ngjashëm me “1984”, pasi Twitter dhe Facebook vendosën t’ia mbyllnin llogaritë e rrjeteve sociale. “...fjala e lirë nuk ekziston në Amerikë. Vdiq me firmat e mëdha të teknologjisë dhe ajo që ka mbetur është aty vetëm për një grusht të zgjedhurish”, shkruante i riu Donald Trump.

Urinë e lexuesve që nisën të gërmojnë më shumë rreth romaneve të Orwell, që në kohë “të paqta” i kishin shpërfillur apo në kohë diktaturash si ajo shqiptare u ishte ndaluar, vendosi ta ngopë edhe shtëpia botuese “Pegi”.

Megjithëse i përkthyer në shqip dhe i botuar nga disa shtëpi botuese, “Pegi” i solli me shqipërimin e Sokol Çungës. Pak kohë pas “1984”, vjen edhe botimi i ri i “Ferma e Kafshëve”.

Thellësisht aktual dhe po aq i freskët sa ç’ka qenë më shumë se gjysmë shekulli më parë, “Ferma e kafshëve” është një përrallë për ata që mëtojnë të jenë çlirimtarë kudo në botë.

Teksa dëshmohet, përmes thjerrës së historisë, ngritja dhe rënia e përgjakshme e kafshëve revolucionare, dallohen farat e totalitarizmit në sistemet më ideale, si dhe shpirtrat e shtypësve më të egër te udhëheqësit tanë më karizmatikë.

Ndoshta Orwell-i ngjan si profet, por nuk është aspak e pagjasë të parashikosh të ardhmen e afërt, duke pasur parasysh të shkuarën.

“Përrallë” e ka quajtur vetë Orwelli, teksa derrat zënë e marrin gjithnjë e më tepër tipare njerëzore, por ndërkaq është një alegori e thellë jo vetëm ndaj sistemit komunist të ish-Bashkimit Sovjetik, por ndaj të gjitha diktaturave njerëzore. Satira e mprehtë oruelliane ndaj totalitarizmit bashkohet me gjeninë krijuese dhe një energji stilistikore që e vendosin “Fermën e kafshëve” mes veprave më të njohura letrare të shekullit XX.

Në shekullin XXI, kur besojmë se çdo gjë rreth nesh po zhvillohet dhe të gjitha vendet po ecin përpara, kuptojmë papritmas se ka ende parazitë që është vështirë për t’i hequr qafe. Vendet që kanë pasur mundësi të zhvillohen, kanë kapërcyer sprovën e vështirë për të mos rënë në totalitarizëm.

Përkthyesi Sokol Çunga

Përkthyesi i dy veprave të Orwell në shqip, Sokol Çunga, në një intervistë për Gazeta Si rrëfen jo vetëm për sfidat e shqipërimit të neologjizmave oruelliane, por edhe mbi ngjashmëritë e realitetit të sotëm me ato që përshkroi shkrimtari britanik, në mes të shekullit të shkuar...A është parashikim i fatalitetit apo një paralajmërim i tij mbi rreziqet e totalitarizmave, të cilat munden të shmangen nëse shoqëria qëndron syçelë? Mendimi është i ndarë, por në një pikë bien të gjithë dakord: Orwell lexohet në çdo kohë.

Pse kjo magjepsje me Orwell dhe pse pikërisht tani?

Ishte një propozim i shtëpisë botuese Pegi, që pothuaj dy vite të shkuara, që të përgatisnim dy romanet më të njohur të George Orwell, Ferma e kafshëve dhe 1984 në gjuhën shqipe. Si kushdo tjetër, as ne nuk e kishim menduar se do të vinte ky vit i Erës Kovidiane, çka e risolli G. Orwell edhe një herë në vëmendje, si rrallëherë më parë.

Si lexues çfarë kishit vënë re nga përkthimet e mëhershme në shqip?

Nuk i kam lexuar përkthimet e mëhershme në shqip. Ndoshta kalimthi, në raft librarish ndonjë paragraf, por jo më shumë.

Kur e keni lexuar për herë të parë në gjuhën shqipe? A ndihet ende “i ndaluar” edhe pas rënies së Komunizmit Orwell dhe a është siç e quanin vendet e Bllokut Lindor “armë” në duart e klasës qytetare?

Ende nuk e kam lexuar Orwell-in në shqip në ndonjë përkthim tjetër nga imi (për aq sa është lexim puna përkthimore). I ndaluar sigurisht që nuk është, por edhe armë nuk më duket se është. Ndoshta, më shumë, një autor të cilit i vilen citatet më thjesht se ndonjë tjetri.

Ky përkthim i juaji, i botuar nga PEGI, erdhi gjatë pandemisë ku në fakt situata botërore i ngjante një lloj distopie të një rendi të ri, që shumë e panë si konspiracion, të tjerë si diktaturë e shëndetit apo si prelud i atij rendi të ri, për të cilin mund të kemi disa ide por ende nuk e njohim krejt. A është përdorimi i teknologjisë më i rritur gjatë këtyre kohëve apo edhe situata që kaluam në izolim - duke përdorur po prapë teknologjinë për të dalë në botën fizike qoftë edhe për pak orë dhe amplifikimi i idesë së forcave policore që të ndalin qoftë edhe për një shëtitje pa leje-,  një lloj i ngjashëm si “vëzhgimi” i kudondodhur i Vëllait të Madh?

Shkallët e ndryshme të izolimit dhe kufizimeve që kaluam dhe po kalojmë dëftyen fare qartë se, kur vijnë bashkë me rrezikun e panjohur, mekanizmat shtetërore e kanë shumë të lehtë të vendosin sanksione shumëpërmasore mbi shtetasit. Vetvetiu, mjetet teknologjike kanë rolin e tyre.

Teksa përktheja, shpesh më ndodhnin asosacione spontane mes tekstit dhe realitetit.

Mirëpo, të mos harrojmë edhe përmasën tjetër: mjetet teknologjike na mbajtën më të lidhur me njëri-tjetrin, dhe vazhdojnë të na mbajnë, gjatë kësaj periudhe kur kontaktet fizike janë të pamundura. Kështu që, teknologjia nuk është e dobishme vetëm për të mbikëqyrur.

Teknologjia nuk është e dëmshme në vetvete, të dëmshme mund të jenë synimet e kujt e përdor teknologjinë për interesa të kundërta nga e mira e përbashkët. Në fund të fundit, Vëllai i Madh nuk është një individ, por një sistem përfitimi i një klase të vogël njerëzish me pushtet dhe / ose në pushtet, në kurriz të pjesës tjetër të piramidës shoqërore.

A u ngjajnë liderët e sotëm disi – të paktën në rastin e pandemisë – Diktatorit të “1984”?

Teksa përktheja, shpesh më ndodhnin asosacione spontane mes tekstit dhe realitetit. Mirëpo, parë me mendje të ftohtë, Vëllai i Madh i 1984 nuk përshkruhet kurrë, mbetet i panjohur. Ato që përshkruhen janë veprimet e atyre që veprojnë në emër dhe në dobi të Vëllait të Madh, shërbëtorët e bindur të Udhëheqësit dhe xhelatët e atyre që kanë ndër vete.

Më shumë se përballëvënie të Vëllait të Madh me ndonjë lider të sotshëm pashë shumë personazhe shërbyesish të cilët janë lehtësisht të krahasueshëm me ata të jetës reale, pavarësisht në kanë mbi kokë Vëllain e Madh apo çdo vëlla tjetër. Dhe këta shërbyes janë të pakohë, do të ishte gabim t’i kërkonim vetëm tek e sotshmja.

A ka paralelizma sot me Orwell se individi është shumë i vogël dhe i pafuqishëm përballë sistemit dhe kryengritësit, qëndrestarët apo “heronjtë” janë thjesht iluzion?

Për Orwell-in nuk ka heronj. Kur totalitarizmi ngjitet në fron, nuk zbret më, dhe asgjë s’e rrëzon, thotë Orwell-i. Kështu mbyllen të dyja veprat në fjalë. Por, të mos harrojmë: kjo mbyllje fatale nuk është aksiomë. Kemi përpara letërsi që përpiqet të tregojë një realitet matanë sipërfaqes. Aty mund të mbërthejë vështrimin, cilido dëshiron të kuptojë Orwell-in.

Duhet thënë se 2020 ishte edhe një vit i Orwell-it, përsos librave të tjerë, me tema apokaliptike apo pandemish.  A mund të quhet profeci e frikshme, e përmbushur ca më larg – por jo edhe aq – 1984?

Nuk do ta quaja 1984 profeci, unë, të paktën, nuk e lexoj kështu. Është letërsi. Si çdo vepër tjetër letrare. Dhe komentet që i bëjmë veprës duhen parë brenda kontekstit letrar. Ndoshta Orwell-i ngjan si profet, por nuk është aspak e pagjasë të parashikosh të ardhmen e afërt, duke pasur parasysh të shkuarën. Ndërkohë, po të hidhemi tek një roman tjetër distopik i shkruar dhe botuar përpara 1984, romani Më e mira e botëve (Brave New World) nga Aldous Huxley, realiteti i profetizuar atje është ndryshe nga ai i 1984: vërtetë ka pushtet total, por popujt dehen në shfrenime gjithfarësh dhe nuk e vënë mendjen në punë pikërisht se nuk kanë kohë të mendojnë, por vetëm rreken të ngopin çdo dëshirë të tyren.

Kështu, pushteti nuk ka nevojë fare të merret me disiplinimin e popujve. Nuk ngjan e panjohur edhe kjo pamje e realitetit, apo jo? Ndoshta e sotmja dhe e ardhmja i ngjajnë edhe realitetit distopik të Huxley-t, edhe atij të Orwell-it.

Fill pas “1984” vjen “Ferma e Kafshëve”. Ndonëse në pamje të parë duket një tallje për Komunizmin, por a mund të jetë një lloj alegorie për çdo lloj tjetër sistemi autokratik, pavarësisht doktrinës? Veçanërisht në demokracitë e brishta apo ato në ndërtim, si e jona për shembull? A do të ketë gjithnjë kuaj e gomarë , por edhe derra në politikë ?

Ferma e kafshëve vjen si përkthim imi pas 1984, por është shkruar përpara këtij të dytit. Dhe, siç mund ta kuptojë dhe kushdo që lexon këta dy libra me rendin kronologjik të botimit të tyre, Ferma mund të shërbejë edhe si një hyrje për 1984. Pushteti uzurpohet nga një klasë individësh, të cilët nuk kanë qëllim të punojnë për të mirën e përbashkët, por për mirëqenien e tyre, atëherë kur pjesa tjetër është e paaftë të dallojë nuancat e vogla të diktaturës në sjelljen e “udhëheqësit”, duke i toleruar ato. Ferma e kafshëve nuk është komike, është tragjike.

Tek përralla e kafshëve kemi instalimin e paligjshmërisë, ku shtetasit janë, praktikisht, skllevër të regjimit. Kurse tek romani distopik 1984 paligjshmëria jo vetëm është kapërcyer, por është kthyer në heqje të çdo të drejte njerëzore për shtetasit.

Për një qëllim të thjeshtë: “Qëllimi ynë nuk është pasuria, lavdia, epshi. Pushteti është qëllimi i vetëm i Partisë”, perifrazoj fjalët që thotë O’Brajëni, një prej anëtarëve të pakicës sunduese. Pra, vërtetë në njërën anë ka derra dhe në tjetrën mekanizma të verbër në shërbim të Partisë dhe Vëllait të Madh, por synimi i Orwell-it nuk është thjesht sarkazma apo shpikja e Oqeanisë. Portretizon një imazh të botës, siç e sheh ai, pavarësisht nëse ajo i përket së shkuarës, së tashmes apo së ardhmes.

A hasët ndonjë sfidë në shqipërimin e Orwell dhe a do të vijoni me vepra të tjera të tij, qoftë letërsi artistike apo non-fiction?

Kushdo që ka lexuar romanin 1984 në origjinal i ka vënë re neologjizmat orwell-iane. Ndoshta nuk janë numerikisht shumë fjalë, por janë një lloj problemi që duhet zgjidhur nga përkthyesi dhe duhen sjellë në gjuhën e përkthimit duke përdorur po ato mekanizma logjikë që ka përdorur autori. Meqenëse anglishtja dhe shqipja kanë ndryshime në mënyrën si u funksionojnë rregullat, m’u desh që, pasi të kuptoja logjikën, të përdorja mekanizmat e shqipes për rindërtimin e tyre. Uroj të kem sjellë një punë të këndshme për lexuesin, gjithmonë në funksion të tekstit. Kurse Ferma e kafshëve është relativisht më e thjeshtë se 1984, ndonëse jo “bukë e djathë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë