Menaxhim

Shqipëria target i hakerave, shtohen sulmet kibernetike ndaj institucioneve dhe individëve

Nga Gazeta ‘SI’ – Vetëm në tremujorin e dytë të vitit 2025, Shqipëria është përballur me 29 sulme kibernetike.

Bazuar në statistikat e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, gjashtëmujori i parë 2025 numëron 43 incidente kibernetike, rreth 34% më tepër incidente se në gjithë 2024.

Sulmet më të shpeshta kanë qenë të tipit DDoS, me qëllim ndërprerjen e shërbimeve publike, ndërsa incidenti me pasojat më të rënda ka qenë sulmi WIPER ndaj Bashkisë së Tiranës, i cili synonte fshirjen përfundimtare të të dhënave dhe dëmtimin e funksioneve digjitale.

Krahas tyre, janë identifikuar edhe 4 tentativa phishing,(vjedhja e të dhënave) spear phishing, 3 skanime të paautorizuara të rrjeteve, 2 komprometime aplikacionesh, 3 trojanë, dhe 1 shfrytëzim i dobësive në sisteme të ndryshme.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) shprehet se këto shifra tregojnë nevojën që ka Shqipëria për vigjilencë të vazhdueshme dhe përforcimin e kapaciteteve reaguese.

Në 3 muajt e parë të këtij viti, Autoriteti identifikoi dhe menaxhoi gjithsej 14 incidente kibernetike, duke ndërmarrë masa konkrete për neutralizimin e kërcënimeve dhe mbrojtjen e infrastrukturave kritike. Ndërkohë, në vitin që lamë pas, numri i incidenteve kibernetike ka qenë vetëm 32.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë