Nga Gazeta ‘SI’ – Shqipëria listohet e fundit në mbështetjen e kërkimit dhe zhvillimit, ndër të gjitha vendet europiane.
Shifrat e vitit 2024 nga Eurostat tregojnë se shpenzimet qeveritare për kërkim dhe zhvillim në Shqipëri ishin më të ulëtat, vetëm 40.9 mln euro, përkthyer në 0.19% të PBB-së së vendit.
Në krahasim, mesatarja e Bashkimit Europian ishte 0.71% e PBB-së, me një vlerë totale prej afro 128 miliardë euro të alokuara nga buxhetet qeveritare për R&D. Diferenca është e thellë dhe tregon për mospërputhje serioze mes Shqipërisë dhe vendeve që investojnë në mënyrë të qëndrueshme në dijen, inovacionin dhe zhvillimin teknologjik.

Vendet që shpenzuan më shumë për R&D për frymë ishin Luksemburgu (759.2 euro për banor), ndjekur nga Danimarka (586.8 euro) dhe Holanda (542.7 euro). Ndërkohë, shpenzimet më të ulëta për banor u regjistruan në Rumani (19.1 euro), Bullgari (38.3 euro) dhe Hungari (58.7 euro). Duhet theksuar se ndryshimet në shpenzimet për frymë mund të pasqyrojnë gjithashtu ndryshime në popullsinë e vendeve përkatëse.
Sa i përket shpërndarjes sipas objektivave socio-ekonomike, 35.7% e fondeve buxhetore qeveritare për kërkim dhe zhvillim (GBARD) u drejtuan për avancimin e përgjithshëm të dijes, kryesisht të financuara përmes një granti të përgjithshëm publik të njohur si fondet publike të përgjithshme universitare (GUF), të cilat përdoren nga institucionet e arsimit të lartë publik për të mbështetur aktivitetet e tyre.
Përveç kësaj, 16.6% e fondeve GBARD iu dedikuan gjithashtu avancimit të përgjithshëm të dijes, por nga burime të tjera përveç GUF. Ndërkohë, 9.4% e fondeve u orientuan drejt prodhimit industrial dhe teknologjisë, 7.0% për shëndetësinë dhe 6.1% për eksplorimin dhe shfrytëzimin e hapësirës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



