Art dhe Kulture

Për herë të parë, Shqipëria përfaqësohet në Bienalen e Venecias 2022 nga një artiste femër

Artistja që përfaqëson Shqipërinë në edicionin e 59-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, ngjarjes më të madhe të artit bashkëkohor në botë, është Lumturi Blloshmi.

Ministria e Kulturës njofton se Lumturi Blloshmi është artistja e parë femër që përfaqëson Shqipërinë me një prezantim personal në Venecia, (23 Prill – 27 Nëntor 2022) kuruar nga kuratorja Adela Demetja.

Duke qenë se vetëm pak ditë më parë u mbush një vit nga ndarja e artistes nga jeta, për shkak të Covid 19, përzgjedhja e saj vjen edhe si një homazh ndaj figurës së kësaj artisteje.

Tema e këtij viti të Bienales së Artit të Venecias, është titulluar “Qumështi i ëndrrave”, një titull i huazuar nga një libër i artistes Leonora Carrington. Sipas Ministrisë së Kulturës, artistja Lumturi Blloshmi me veprat e saj cilësore përshtatet më së miri me temën e këtij viti.  Ndër të tjera, nga kritika, Lumturi Blloshmi është vlerësuar si “Frida Kahlo” shqiptare.

“Punimet e saj në pikturë, fotografi, instalacion dhe performancë karakterizohen nga një mënyrë ironike dhe satirike e pasqyrimit dhe tejkalimit të realitetit në të cilin ajo jetonte. Këndvështrimi i saj ishte ai i një gruaje të fortë që kritikonte dhe provokonte me humor pushtetin e dominuar nga burrat. Ajo që e bën të veçantë veprën e saj është thjeshtësia simbolike dhe optimizmi i përdorur në trajtimin e realitetit të ashpër. Ndaj, praktika e saj e ushqyer nga imagjinata dhe e bazuar tek novacioni kryqëzohet shumë mirë me seksionin e kuruar të Bienales që fokusohet në mitologjitë personale që përpiqen të imagjinojnë modele alternative të bashkëjetesës dhe transformimit dhe bëjnë të mundur rimagjepsjen e botës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Për tjetër arsye e zgjedhjes së një artisteje femër është edhe se në këtë Bienale do të mbizotërojnë artistet femra.

“Për më tepër, shumica e pavioneve të tjera kombëtare deri me tani (përfshi Gjermaninë, Austrinë, Francën, Anglinë, Amerikën, Hungarinë, Irlandën, Turqinë, etj.) do të përfaqësohen nga artiste femra, duke thyer kështu stereotipet e derimëtanishme të përfaqësimit”, argumenton Ministria

Prezantimi me titull “Lumturi Blloshmi. Nga e para” është i konceptuar si një ekspozitë që synon të hulumtojë, prezantojë dhe ripozicionojë veprën dhe jetën e Lumturi Blloshmit në historinë e artit kombëtar dhe ndërkombëtar.

“Prezantimi është konceptuar në tre pjesë. Thelbi i ekspozitës përbëhet nga një përzgjedhje e veprave të Blloshmit nga periudha të ndryshme. Arkitektura e ekspozitës do të krijohet në bashkëpunim me arkitekten gjermane Johanna Meyer-Grohbrügge. Nëpërmjet një mjedisi të ndërtuar virtualisht publiku do të ketë qasje në botën personale dhe mjedisin krijues të Blloshmit. Kjo pjesë që synon krijimin e një lloj arkivi virtual do të krijohet në bashkëpunim të ngushtë mes kuratores dhe artistit britanik të realitetit virtual Alexander Walmsley. Do të krijohet një film për Lumturi Blloshmin në formën e një dokumentari eseistik”, përfundon njoftimi i Ministrisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë