Menaxhim

Shqipëria prodhoi më pak, por konsumoi më shumë energji në 10 muaj. Bien arkëtimet e OSHEE

Nga Gazeta ‘SI’ – Shqipëria ka prodhuar më pak energji se një vit më parë gjatë periudhës janar-tetor 2024.

Sipas statistikave të Entit Rregullator të Energjisë, prodhimi neto vendas për 10-mujorin ishte 6.7 mln megavatorë, ndërsa një vit më parë ishte 7 mln MWh. Nga kjo energji, KESH ka prodhuar 3.6 mln megavatorë dhe pjesa tjetër ishte kontribut i prodhuesve privatë.

Për të njëjtën periudhë ERE raporton se është rritur konsumi i familjeve, në 2.6 mln megavat, ndërsa tregohet një rritje e konsumatorëve me rreth 100 mijë.

Por, rritja e konsumit dhe konsumatorëve nuk është përkthyer në rritje të arkëtimeve. OSHEE ka mbledhur rreth 3 mld lekë më pak për 2024-n.  Po ashtu edhe kamatvonesa janë mbledhur më pak, 855 mln lekë, ndërsa një vit më parë 1.1 mld.

Niveli i humbjeve në rrjetin e shpërndarjes për 10 – mujorin e këtij viti u regjistrua në 17.27%, apo 1.43 % më pak se e njëjta periudhë e vitit 2023, kur përllogariteshin në 18.70%. Sipas të dhënave të publikuara nga Enti Rregullator i Energjisë, përgjatë periudhës janar – tetor të këtij, gati 1.1 mln mËh humbi në rrjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë