Masat parandaluese me bllokim të importit nga zonat dhe vendet e prekura nga virusi i gripit të shpendëve, ku të fundit ishin ndaj Kosovës dhe Greqisë, nuk e kanë mbajtur larg hartës së infeksionit Shqipërisën.
Ministria e Bujqësisë njoftoi këtë të martë se në vendin tonë janë identifikuar tre vatra me gripin e ri të shpendëve.
“Pas analizimit të mostrave nga rastet e dyshimta në shpendë të oborrit, në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV), është konfirmuar prania e Gripit të shpendëve (Influenca Aviare) të tipit H5N8. Sëmundja është e pranishme vetëm në 3 vatra, që ndodhen respektivisht në Njësinë Administrative Fushë- Krujë, në Njësinë Admistrative Dajt dhe në Njësinë Administrative Bujan”, thotë Ministria e Bujqësisë.
Ministria shprehet se po ndjek me vëmendje monitorimin e situatës epidemiologjike në popullatën e shpendëve dhe për këtë ka ndërmarrë disa masa.
“Së pari, u bë ndalimi i hyrjes të shpendëve në territorin e vendit tonë nga vendet që kanë konfirmuar praninë e sëmundjes. Pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural është ngritur Qendra Kombëtare e Krizës për drejtimin dhe koordinimin e planit të veprimit”, thotë Ministria.
Shpendët e infektuara eleminohen për të shmangur përhapjen e mëtejshme të sëmundjes, ndërsa ndalohet tregtimi i shpendëve dhe kafshëve të gjalla në mjedise të hapura.
“Lejohet lëvizja e shpendëve me destinacion thertoret, të shoqëruar vetëm me certifikatë shëndetsore veterinare”, sqaron Ministria e Bujqësisë.
Ministria u kërkon qytetarëve që të jenë të vëmendshëm, të respektojnë higjienën dhe të gatuajnë me temperatura të larta të gjitha produktet me origjinë shtazore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




