Lajme

Shqipëria, një vit pa kryespiun

Bledar Hoti- Zgjedhja e Ilir Metës në krye të Presidencës, me votat e së majtës, shihej nga socialistët si një mundësi e artë. Në krye të këtij institucioni, pas 15 vitesh, do të kishin një President të krahut të tyre politik dhe mbi të gjitha i gëzoheshin idesë se ai nuk do t’i bëhej pengesë për emërimet apo në dekretimin e ligjeve nga qeveria Rama.

Me fitimin e zgjedhjeve dhe marrjen e mandatit të dytë qeverisës, akti i parë që do të ndërmerrte kryeministri Edi Rama ishte heqja e kreut të SHISH, të Visho Ajazit Lika, personi i zgjedhur në këto post nga kundërshtari politik i asaj kohe, kryeministri Sali Berisha.

Visho Ajazi Lika

Pas bashkëjetesës së vështirë në mandatin e parë, e për shkak se presidenti i djathtë, Bujar Nishani, do t’i refuzonte ndonjë propozim për largimin të shefit të kryespiunit shqiptar, Rama duroi  dhe me t’i  dhënë rasti kërkoi menjëherë largimin e Visho Ajazit, duke e larguar me një ofertë të re, për ta propozuar si ambasador i Shqipërisë në selinë e NATO-s.

Pas vitesh në këtë detyrë, Visho Ajazi dha dorëheqjen pas kësaj oferte “bujare” të kryeministrit, edhe pse nga ana tjetër Rama u shpreh në media se ishte vetë shefi i SHISH që i kërkoi emërimin në këtë detyrë.

Më 30 tetor të vitit 2017, Rama do të ngjiste shkallët e Presidencës për t’u takuar me aleatin e dikurshëm në qeverisje. Ky takim vinte një muaj pas formimit të qeverisë së re socialiste, e që kryeministri preferoi të ishte i pranishëm me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi.

Në takimin 30 minutësh, Rama mbante në dosje letrën e dorëheqjes së Visho Ajazit dhe njëherësh propozimin e tij për ta emëruar në krye të këtij institucioni të shërbimit sekret, Helidon Bendon, që mbante postin e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të SHISH.

Helidon Bendo

Helidon Bendo, i propozuar në këtë detyrë Rama, me bekimin si emër edhe nga partnerët ndërkombëtar ka mbetur pa u dekretuar nga Presidenti Meta. Ai u emërua nga presidenti Nishani si numri dy i SHISH.

Sot që po mbushen gati një vit, në tryezën e kreut të shtetit gjendet ende propozimi i Ramës për numrin një të shërbimit sekret shqiptar. Burime nga Presidenca bëjnë të ditur se propozimi do të mbesë edhe për një kohë të gjatë ende në tavolinë, duke na dhënë kështu një panoramë të një lufte nervash mes drejtuesve të dy institucioneve, pra nëse kryeministri do të tërhiqej ose jo nga ky propozim.

“Duhet të kemi në konsideratë se një vendimmarrje e tillë është shumë e rëndësishme, e cila kërkon kohë. Presidenti duhet të jetë i bindur se një vendimmarrje siguron një institucion kaq të rëndësishëm të sigurisë kombëtare”, pati deklaruar presidenti kohë më parë në lidhje me këtë çështje. Gjithashtu Meta i pati dërguar sinjale kryeministrit se do ta firmoste këtë dekret vetëm kur të jetë i bindur plotësisht se ai institucion është duke bërë një punë krejtësisht një punë të pavarur.

Në një studio televizive, kryeministri Edi Rama pati deklaruar se kandidatura e Bendos u paraqit pasi ai gëzonte mbështetjen e të gjithë partnerëve ndërkombëtarë. Ndërsa hezitimit të presidentit për ta firmosur, kryeministri ai bëri të qartë në mënyrë publike se nuk do të tërhiqet nga propozimi i tij.

Kryeministri Rama dhe Presidenti Meta

“Presidenti le të mendohet, ka katër vjet kohë po të dojë të mendohet”, do të deklaronte Rama, duke shtuar se Bendo do të qëndrojë në atë detyrë si shef i SHISH.

Ndërsa ka pasur edhe shumë spekulime, ku nuk mungonin se gjatë bisedimeve që kanë pasur ndërmjet tyre, presidenti ka kërkuar një emër konsensual.

Emri për kreun e SHISH mund të nxirret sërish nga arkiva e Presidencës, pasi në këtë kohë pritet të ketë rifreskim të drejtuesve të krerëve të institucioneve kushtetuese.  Caktimi i kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit pritet të jetë një përplasje e re që pritet të ndodhë mes maxhorancës dhe Presidentit.

Mandati i kryekontrollorit Bujar Leskaj mbaron në muajin dhjetor. Sipas Kushtetutës, Presidenti e propozon kandidaturën  për kreun e KLSH për t’ia kaluar më pas për votim Parlamentit. Meta normalisht do të duhet të konsultohet me kryeministrin përpara se të dekretojë një emër të tillë, në mënyrë që kandidatura e tij  të mos të rrëzohet.

Në këtë marrëdhënie të re institucionale mes Presidentit dhe kryeministrit (maxhorancës) ka pasur jo pak përplasje përgjatë një viti.

Kujtojmë këtu se veç bllokimin të emërimit të kreut të SHISH, përplasjet kanë qenë për ligjin për Teatrin, për të cilin Presidenti nuk pranoi ta dekretonte dhe e ktheu për rishqyrtim, duke kërkuar që të shihet mundësia e një projekti të ri, duke e ruajtur godinën aktuale.

Maxhoranca e ka dërguar sërish ligjin, duke mos pranuar tërësish kërkesat e presidentit, edhe pse me disa ndryshime. Për këtë Presidenti ende nuk është shprehur me dekret.

Ndërsa ligji tjetër është ai për lojërat e fatit, ku Presidenti e ktheu mbrapsht, ndërsa  maxhoranca e refuzoi kërkesën për rishikim.

Tashmë marrëdhëniet mes Presidentit Meta (i zgjedhur me votat e socialistëve) e kryeministrit Rama apo dhe maxhorancës kanë treguar se përgjatë një viti se nuk do të karakterizohen me shprehjen e famshme të aleatit të dikurshmit në qeverisje “me qetësi dhe me dashuri”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë