Treg

Shqipëria ngjitet pesë pozicione, renditet e 51-ta në vendet më të mira për punën në distancë

Nga Gazeta ‘Si’– Nga 108 vendet më të mira për punën në distancë, Shqipëria renditet në vendin e 51.

Global Remote Work Index 2023” (Indeksi botëror për punën në distancë) vitin e shkuar e rendiste Shqipërinë në vendin e 56.

Ky indeks mat katër fusha kryesore që përcaktojnë cilësinë e punës në distancë: siguria kibernetike, ekonomia, infrastruktura dhe siguria sociale – duke përfshirë edhe sigurinë nga kriminaliteti dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Dhjetë vendet e para të klasifikimit janë: Danimarka, Holanda, Gjermania, Spanja, Suedia, Portugalia, Estonia, Lituania, Irlanda dhe Sllovakia.

Sipas autorëve, vendet europiane përfaqësojnë pjesën më të madhe të 50% të indeksit global të punës në distancë.

Vendi i parë është Danimarka që ka si pikë më të fortë cilësinë e internetit, përfshirjen sociale dhe sistemin shëndetësor.

Ajo ndiqet nga Holanda, që si avantazh për punën në distancë ka stabilitetin ekonomik. Kjo vjen, kryesisht, për shkak të “tërheqjes si destinacion turistik dhe përdorimit të gjerë të anglishtes” – thonë autorët.

Ndërsa në vend të tretë renditet Gjermania e cila sipas autorëve ofron një ekuilibër të mirë mes kostos dhe cilësisë së jetesës, ku shërbimi i internetit ka çmimin më ekonomik në botë.

Nga të gjithë kriteret, Shqipëria renditjen më të mirë e ka për sigurinë kibernetike(45/108) dhe për sigurinë sociale (50/108).

Ndërsa për infrastukturën digjitale dhe fizike ajo renditet në vendin e 69 dhe për sigurinë ekonomike në vendin e 71.

Vendet më të mira për punën në distancë varësisht kritereve

Sllovakia kryeson në klasifikimin e 10 vendeve më të mira për punën në distancë për sigurinë kibernetike. Ky kriter përfshin mundësinë për t’iu përgjigjur kërcënimeve digjitale dhe nivelin e legjislacionit të sigurisë kibernetike.

Për sigurinë ekonomike, indeksi rendit të parën Mbretërinë e Bashkuar.

Kjo kategori përfshin koston e jetesës, aksesin në sistemin shëndetësor, lehtësinë e komunikimit dhe mundësitë e larmishme për t’u argëtuar.

Singapori është vendi më i mirë për infrastrukturat digjitale dhe fizike, me një shërbim interneti të qëndrueshëm, të shpejtë dhe gjerësisht i disponueshëm dhe infrastrukturë rrugore të sigurt.

Zvicra kryeson në Indeksin 2023 për sigurinë sociale, i cili merr në konsideratë sigurinë fizike dhe mbrojtjen e punonjësve në distancë.

Indeksi i publikuar nga organizata e sigurisë NordLayer, bazohet në të dhëna nga burime të besueshme dhe të njohura, si Kombet e Bashkuara dhe World Economic Forum.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë