Mendim

Shqipëria nën hijen e Italisë…

Nga Ian Thomson* - Shqiptarët e kanë prejardhjen prej popujve më të lashtë europianë, ilirëve. Shteti u krijua vetëm pas vitit 1912 me rënien e pushtetit osman në Europë. Sundimtari i parë i tyre, prijësi i lavdëruar mysliman Mbreti Zog, u përzu nga Musolini kur Italia fashiste pushtoi vendin në vitin 1939. (Zogu u vendos në Londër për pak kohë në Ritz.) Pesë vjet më vonë gjermanët nazistë u dëbuan nga rezistenca shqiptare e Enver Hoxhës. Nga pamja e jashtme, si stalinist, Hoxha ishte një figurë osmane me origjinë myslimane, e cila terrorizoi çifligun e tij ballkanik përmes vrasjeve hakmarrëse, spastrimeve dhe zhdukjes së armiqve të klasës. Shqipëria ka jetuar prej kohësh nën hijen e Italisë.

Javën e kaluar, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, thuhet se u zemërua kur plani i saj për të dërguar azilkërkues në Shqipëri u bllokua nga Gjykata Europiane e Drejtësisë dhe emigrantët u kthyen në Itali nga një qendër paraburgimi në “përtej detit”. Ajo nuk ka gjasa të heqë dorë.

Për herë të parë vizitova vendin e trazuar të Ballkanit në vitin 1988, kur në krye ishte pasardhësi i vajosur i Hoxhës, Ramiz Alia. E veja e diktatorit, Nexhmije Hoxha (“Zonja Makbeth e Ballkanit”), ishte dora e fshehur pas policisë sekrete të frikshme të Sigurimit. Duke qenë se turistët individualë nuk lejoheshin të hynin, unë shkova me një grup prej 20 miqsh të Akademisë Mbretërore Skoceze. Midis tyre ishte edhe Lady Rosebery (“Një konteshë!” gulçoi udhërrëfyesi ynë shqiptar). Në një kasolle doganore në kufirin Jugosllav, njërit prej grupit tonë i rruan mjekrën, pasi mjekra ishte sinonim i ortodoksisë greke dhe ishte e ndaluar.

U riktheva në Shqipëri së fundmi me gruan time në një udhëtim ecjesh nëpër Bjeshkët e Nemuna që kufizohen me Kosovën dhe Malin e Zi. Një natë para se të largoheshim, në Café Oto në Londër, pamë kompozitorin Dave Smith duke performuar fantazinë e tij, “Verë Shqiptare” me Jan Steele në saksofon dhe gruan e tij Janet Sherbourne në piano. Muzika, hipnotikisht e mirë, ishte e ndikuar me ritmet popullore osmane që Smith kishte mbledhur gjatë vizitave në malësitë shqiptare gjatë regjimit 40-vjeçar të Hoxhës. Ideja jonë ishte të ndiqnim gjurmët e etnografes eduardiane Edith Durham, e cila në fillim të viteve 1900 kaloi nëpër malësi me një fund Burberry të papërshkueshëm nga uji dhe një kapelë golfi, duke regjistruar zakonet fisnore. Shqiptarët u morën aq shumë me të dhe me librin e saj “Shqipëria e epërme”, sa e kurorëzuan si “Mbretëresha e maleve”.

Nga hoteli ynë në rrugën “Edith Durham” në qytetin verior shqiptar të Shkodrës, u nisëm për në Bajram Curri rreth 30 milje në perëndim të kufirit serb. Fshati ishte një grumbull i egër pyjesh gështenjash dhe pellgje moçalesh. U ngjitëm lart përmes livadheve alpine drejt Valbonës, me mjegullat e parregullta të malit të Shkëlzenit nga larg. Malësitë ishin të zëna me ekskursionistë.

Shqipëria është destinacion turistik me rritjen më të shpejtë në Europë. Në katundin malor të Thethit hasëm në një strehë pjesërisht të rrënuar të njohur si “kulla”. Vështirë se ndonjë nga këto kulla ka mbijetuar në Shqipëri. Në kohën parakomuniste ato shërbenin si strehë për shqiptarët e kapur nga gjakmarrja. Kulti hakmarrës i epokës osmane të “gjak për gjak” sanksionohet nga kushtetuta e lashtë fisnore e Shqipërisë e njohur si Kanuni, të cilin e kodifikuan ilirët. Enver Hoxha bëri një përpjekje të nxjerrjes jashtë ligjit të Kanunit si tribalizëm i prapambetur ballkanik, por ai u rishfaq që pak kohë pas rënies së komunizmit.

Në një vizitë në Theth 30 vjet më parë, takova një grua të moshuar që ishte fejuar nga babai i saj që në mitër, në përputhje me Kanunin. “Dhe tani shiko me kë përfundova!” – bëri shenjë ajo nga një pasha me pamje të dobët, i shtrirë në shtrat me kokën tullë të bardhë. “Eha, boll, plaka ime e dashur” – kundërshtoi ai. Motori i madh i hakmarrjes – ideja e vjetër e pastrimit me gjak – ishte tema e romanit “Prilli i thyer” i shkrimtarit të ndjerë shqiptar Ismail Kadare. Gjaku do të jetë gjithmonë i shpejtë në Shqipëri – dhe në lindje të Londrës gjithashtu. Bandat shqiptare që kanë kapur tregun e kokainës në Britaninë e Madhe respektojnë kodin e kanunit të besës, domosdoshmërinë e mbajtjes së një premtimi. Gjak për gjak siguron besnikërinë e bandës.

Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, është një vend i zhurmshëm sot me një sërë baresh. Përballë vilës së madhe të zbrazët të Hoxhës është një prej KFC-ve. Fëmijët e Hoxhës kërcënuan me veprime ligjore kur u njoftuan planet për ta kthyer vilën në një “Muze të Shtypjes”.

Enveri dhe Nexhmija besohet se kishin 25 frigoriferë, 28 televizorë me ngjyra dhe 19 linja telefonike. Enveri ishte i njohur për dashurinë e tij për filmat e Norman Wisdom, të cilët tallen me pronarët e fabrikave. Asnjë nga Sigurimi i tij nuk doli në gjyq për torturat apo mizoritë e tjera.

Nexhmija vdiq në vitin 2020 në moshën 99-vjeçare. E intervistova kur ishte në arrest shtëpie për akuzën e korrupsionit në vilën e Partisë nr. 6 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Statuja prej bronzi e Enverit sapo ishte rrëzuar. “Kjo ishte më e dhimbshme për mua sesa vdekja e tij” tha ajo. Nexhmija dhe burri i saj ekzekutuan më shumë se 6.000 kundërshtarë politikë shqiptarë, burgosën rreth 34.000 (1.000 prej të cilëve vdiqën) dhe dërguan 59.000 në internim të brendshëm. Shqipëria nën Hoxhën ishte një model i vetë-djegur i planifikimit stalinist.

Natën tonë të fundit në Shqipëri darkuam në liqenin e Shkodrës, peshk krap, gjizë dhe bukë misri. Kamerieri kishte mjekër./TheSpectator

*Autori Ian Thomson është një shkrimtar i njohur britanik. Librat e tij më të njohur janë biografia “Primo Levi”, kritika “Komedia Hyjnore e Dantes: Një udhëtim pa fund” apo dhe reportazhi “Oborri i Vdekur: Përralla të Xhamajkës Moderne” për të cilat ka marrë çmime të rëndësishme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë