Histori

Shqipëria në “garë me kohën” kundër gjuetarëve të thesareve

Anija kërkimore “Hercules” endet e humbur nëpër bregdetin shqiptar, duke u shkëmbyer hera-herës me disa varka. Pesë arkeologët në kuvertën e saj ndodhen në një mision që bashkon të kaluarën komuniste të Shqipërisë me lashtësinë e rajonit, për të shpëtuar një nga thesaret më të fshehta të Europës para se të plaçkitet. Mateusz Polakowski, një arkeolog nënujor nga Universiteti i Southampton, rrëfen se shumica e Europës nuk është në dijeni të thesareve që fshehin ujërat shqiptare, por  gjuetarët e thesareve kanë filluar prej kohësh eksplorimin e shtratit të detit.

Ai është pjesë e një ekipi arkeologësh dhe teknikësh që po punojnë për të zbuluar pasuritë nënujore të Shqipërisë, deri më tani të fshehta, për shkak se vendi u izolua për katër dekada nga diktatori Enver Hoxha, forcat komuniste të të cilit morën pushtetin në vitin 1945. Ai e ktheu Shqipërinë në një mbretëri të vetmuar, përgjatë gjithë regjimit, i cili ishte më represivi që kishte parë Europa. Shqipëria ishte Koreja e Veriut e asaj kohe. Edhe pse vija bregdetare shqiptare ndodhet vetëm dy kilometra larg Korfuzit, në atë kohë ishte totalisht e paarritshme. Regjimi komunist ndaloi të gjitha pajisjet e zhytjes dhe skanimit, mes frikës së vazhdueshme se mund të përdoreshin për t’u arratisur në ishullin grek. Hoxha izoloi Shqipërinë deri në ditën e fundit të jetës së tij, duke vrarë dhe burgosur më shumë se 100,000 njerëz.

Por edhe pse vazhdon të jetë një nga vendet më të varfra në Evropë, falë ndalimit të zhytjes, vendi ynë konsiderohet nga arkeologët si një “kapsulë” e vërtetë kohore, e cila fsheh pasuri pakrahasueshme me vendet e tjera të Mesdheut. Ekspertët e trashëgimisë nënujore shpresojnë që Shqipëria mos të ketë fatin e Greqisë dhe Italisë, pasuritë historike të së cilave janë plaçkitur nga gjuetarët e thesareve. Në ish-Jugosllavinë fqinje, gjuetarët kanë përdorur një sërë aparaturash për të plaçkitur objekte me vlerë, të fshehura në bregun e detit për dekada të tëra.

Duke punuar me zhytës vendas dhe të huaj, të monitoruar në distancë, arkeologët e “Hercules” po përpiqen të dokumentojnë thesaret që fshihen në shtratin e detit para se të humbasin dhe po ia dorëzojnë të gjithë informacionin qeverisë shqiptare.

Javën e kaluar, gazeta e njohur britanike “The Times” u bashkua me arkeologët e anijes “Hercules”, për të parë nga afër gjirin e Vlorës, ujëra në të cilat Cezari është përleshur me forcat e Pompeit gjatë Luftës Civile Romake. Kur Perandoria Osmane po kërcënonte Italinë gjatë sundimit të Sulejmanit të Madhërishëm, flota e saj u mblodh e gjitha në gjirin vloaniat. Hebrenjtë e dëbuar nga Spanja gjatë Mesjetës, u arratisën nëpërmjet Vlorës në Itali. Të gjithë kanë lënë gjurmët e tyre në shtratin e detit, pasi ujërat shqiptare kanë qënë gjithnjë në udhëkryqin e Evropës.

“Jemi duke u përpjekur të gjejmë një anije të mbytur," tha Polakowski, duke mbajtur në prehër një hartë të madhe të shtratit të detit, ku kishte shënuar me kujdes disa kordinata që tregonin vendndodhjen e anije të mbytur që nga shekulli i parë, para Krishtit- Mund ta identifikojmë periudhën në të cilën është mbytur, duke parë llojin e amforave që mbart. Ndoshta anija ishte duke transportuar mallra të tillë, si vaji ose vera. "

Ky kërkim në ujërat e Shqipërisë ka vazhduar përgjatë gjithë dekadës së kaluar. Çdo verë, “Hercules” hyn në vendin tonë, së bashku me ekuipazhin. Kërkimi financohet nga “RPM Nautical Foundation”, një organizatë jofitimprurëse nga Florida, e drejtuar nga James Goold, një avokat i njohur amerikan. Duke përdorur një automjet nënujor të pajisur me kamera, i cili drejtohet me telekomandë, arkeologët zbuluan javën e kaluar, një anije të lashtë që ishte mbytur së bashku me ngarkesën e saj, rreth 2000 vjet më parë.

"Duke parë sa shumë amfora mbart, duket në mënyrë të qartë se është e paprekur- tha Polakowski- Diku tjetër përveç Shqipërisë, kudo në Mesdhe, një anije e tillë do ishte zbuluar me kohë nga zhytësit.”

Në breg, larg anijes së mbytur duket Butrinti, i cili, sipas poetit romak Virgil, u themelua nga refugjatët që vinin nga Troja e lashtë, të cilët u arratisën nga qyteti i tyre më shumë se 3.000 vjet më parë. Bregdeti shqiptar ishte një linjë e rëndësishme detare, gjatë dy luftërave botërore dhe nuk është çudi që në shtratin e tij të dergjen një sërë anijesh luftarake. Vetëm në gjirin e Vlorës, ka 10 anije të mbytura në kohë lufte, duke përfshirë edhe “Regina Margheritan”, anijen e marinës italiane, e cila u mbyt në vitin 1916 me gati 700 persona në bord. Në afërsi gjenden edhe mbetjet e një anijeje spitalore italiane të sulmuar nga britanikët në vitin 1941. Tri persona humbën jetën, por një pasagjere mjaft e rëndësishme, vajza më e madhe e diktatorit italian Benito Mussolini, Edda ia doli të mbijetonte. 

Sipas arkeologëve edhe sipërfaqja e Hënës, është me eksploruar se shtrati i detit shqiptar.

"Është si të shikosh nën oqean me një elektrik dore- tha Polakowski- Është kaq i gjerë. Ne kemi studiuar vetëm më pak se 1% të zonës. Mund të notosh në një vend 10 herë dhe mund të jesh 10 metra larg një anije të mbytuar dhe mos ta vësh re.

Për të gjetur vendet historike nënujore, arkeologët amerikanë konsultohen shpesh me peshkatarët shqiptarë.

"Nuk është se po i zbulojmë për herë të parë. Komunitetet e dinë në shumicën e rasteve se ku janë - tha Polakowski ndërkohë që anija po kalonte nëpër një shpellë shkëmbore, ku në të kaluarën fshiheshin shpesh piratët- Ne po i shënojmë të gjitha këto zbulime në një hartë, duke i sjellë në vëmendjen e autoriteteve".

Anija "Hercules"

Kur ekipi zbulon diçka, koordinatat e tij mbahen sekrete. Zhytja e skuterëve teknikisht nuk është ende e lejuar, por tre vjet më parë këshilli shqiptar i ministrave lejoi zhytjet në disa zona të mirë përcaktuara përgjatë bregdetit. Kjo duket se u ka hapur rrugën gjuetarëve të thesarit nga Italia dhe Austria, të cilët enden vazhdimisht në ujërat shqiptare, së bashku me banorët që kanë dëshirë të bëjnë para të shpejta.

"Në periudhën komuniste, askush nuk lejohej të vinte dhe të eksploronte ujërat shqipttare. Do ta qëllonin menjëherë- thotë Auron Tare, kryetar i komitetit shkencor të UNESKO-s për trashëgiminë e ujit- Tani disa njerëz mendojnë se çdo gjë në oqean mund të grabitet dhe të shitet.

Për arkeologët, vlera e artefakteve qëndron në pamjen historike që ato paraqesin. Duke i shikuar ato, ata mund të zbulojnë sekretet e thellësisë, Por ata janë shumë të shqëtësuar për shkak të kompanive profesionale të gjuetisë së thesarit, të cilat janë të pajisura në shumicën e rasteve me pajisje multimilliona dollarëshe. /The Times/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë