Shqipëria në Bienalen e Arkitekturës në Venecia këtë vit prezantohet me pavijonin shqiptar nën titullin “Në shtëpinë tonë”.
Pavijoni shqiptar hapet zyrtarisht më 20 maj në Venecia. Ishte ministrja e Kulturës, Elva Margariti që prezantoi pjesëmarrjen e Shqipërisë në edicionin e 17-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës dhe që do të përfaqësohet nga Fiona Mali, Irola Andoni, Malvina Ferra, Rudina Breçani.
Ministrja e Kulturës tha se Bienalja e Arkitekturës në Venecia hap dyert me pavijonet e saj më datë 20 maj, ku do të qëndrojë e hapur një muaj, pas një viti mungese për shkak të pandemisë.
Sipas saj, pjesëmarrja në këtë Bienale pa dyshim që është një mesazh shprese sidomos prej pandemisë çka tregon edhe luftën për të ardhur me një temë, që vazhdon aktuale: “Si do të jetojmë së bashku”.

“Kjo ishte një temë për të cilën ne nuk patëm sforco dhe bazohet në konceptin e fqinjësisë si një traditë tipike shqiptare. Ne nuk kemi pasur një shtëpi sepse shtëpia jonë ishte bashkëjetesa dhe fqinjësia. Ky pavijon vendos në filozofinë dhe themelin e tij rikthimin e fqinjësisë, sidomos gjatë pandemisë që na bëri të rijetojmë fqinjësinë edhe njëherë tjetër”, u shpreh mes të tjerave Margariti.
Në faqen e saj në “Facebook”, ministrja e Kulturës ka publikuar edhe disa foto të pavijonit shqiptar dhe shkruan se po shkojmë në Bienalen e Arkitekturës në Venecia, në këtë shtëpi ndërkombëtare arti, me “Shtëpinë tonë”, me një copëz historie nga shpirti ynë komunitar.
“Bashkë me copëza filmash nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, bashkë me historitë personale të Irolës, Fionës, Rudinës, Malvinës, vajzave arkitekte, që na përfaqësojnë në Venecia, janë edhe historitë tona, të ridimensionuara në kontekstin e ri të krijuar nga pandemia Covid-19”, shprehet Margariti.
Vajzat arkitekte që na përfaqësojnë në Bienalen e Arkitekturës në Venecia:
Fiona Mali është një arkitekte dhe planifikuese, që jeton dhe punon në Tiranë. Pas diplomimit të saj në 2014 ajo punoi për dy vjet në Qendrën për Kërkim dhe Dizajn në Arkitekturë (CoRDA) në Universitetin Epoka, e angazhuar në projekte që lidhin sferat akademike dhe praktike. Fiona më vonë u bashkua me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit të Shqipërisë, për më shumë se 4 vjet, si drejtore e Drejtorisë së Planifikimit Vendor në ndërmarrje të rëndësishme si hartimi i Planeve të Përgjithshme Vendore për 61 bashkitë e Shqipërisë, Akademia 100 Fshatrat, dhe platforma e parë e e-planifikimit në vend. Në vitin 2018, ajo drejtoi kërkimin dhe botimin për Pavijonin Shqiptar në Ekspozitën e 16-të Ndërkombëtare të Arkitekturës, La Biennale di Venecia, me titull “Hapësira Zero Space”.

Irola Andoni aktualisht është duke ndjekur një Master në Projektimin e Qyteteve dhe Shkenca Sociale në London School of Economics. Ajo është një arkitekte dhe planifikuese urbane, e diplomuar në Universitetin e Teknologjisë në Krakov në Poloni, të cilën ajo e ndërthuri me studime në Universitetin e Tennessee, Kolegji i Arkitekturës dhe Projektimit në Knoxville, TN.
Malvina Ferra është arkitekte e diplomuar në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës në 2014, në Tiranë. Pas diplomimit ajo u përfshi në projektet e restaurimit për disa fshatra historikë përgjatë bregdetit shqiptar. Në vitin 2016 ajo filloi të punojë në Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, si një planifikuese urbane, deri në vitin 2020.
Rudina Breçani arkitekte e diplomuar në Universitetin Epoka në 2017, dhe aktualisht ndjek një Master të Planifikimit Urban në NYU. Ajo ka kultivuar prirjen e saj akademike duke u angazhuar në kërkime shkencore në kohën e saj të lirë dhe ka prezantuar në dy nga konferencat më të respektuara të simulimit të ndërtesave në të gjithë botën – IBPC 2018 në New York dhe IBPSA 2019 në Romë ndër të tjera.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



