Kinema

Shqipëria mirëpret Holliwood-in  

Nga Gazeta “SI”– Shqipëria nuk është më thjesht një destinacion piktoresk për udhëtime dhe aventura, por tashmë dhe një destinacion për Holliwoodin. Për herë të parë, në vend po zhvillohet nisma “Fam Tour Albania”, një tur eksplorues i dedikuar për përfaqësues të gjigantëve të kinemasë si HBO, Warner Bros, Amazon MGM Studios, Disney, Paramount, NBCUniversal, e të tjerë.

Përfaqësuesit e këtyre studiove ndodhen prej disa ditësh në Shqipëri, ku po vizitojnë qytete të ndryshme për të njohur nga afër peizazhet unike, lokacionet historike, trashëgiminë kulturore dhe potencialin logjistik që vendi ofron për xhirime dhe bashkëprodhime ndërkombëtare. Këto vizita nuk janë vetëm turistike. Ato janë një hap konkret drejt vendosjes së Shqipërisë në hartën e re të produksionit filmik evropian.

Në Tiranë u zhvillua edhe një panel i nivelit të lartë me drejtues të industrisë botërore të filmit, ku morën pjesë figura të njohura si Veronica Sullivan (NBCUniversal), Mindy MacInnes (Warner Bros/HBO), Anna Cassina (Amazon MGM Studios) dhe Olivier Dock (Motion Picture Association).

Në këtë forum u theksua angazhimi për të krijuar një ekosistem konkurrues për industrinë kreative, përmes stimujve fiskalë, reformave ligjore dhe investimeve në infrastrukturë moderne e në formimin e talenteve të rinj.

Një partner kyç në këtë vizion të ri është Catalyst Story Institute, një nga institucionet më prestigjioze amerikane për zhvillimin e talenteve krijues, i cili tashmë ka hapur në Tiranë qendrën e tij “Tirana Training Institute”. Qëllimi është , profesionalizëm, bashkëpunim ndërkombëtar si dhe ndërtimi i një industrie të qëndrueshme që i jep zë historive shqiptare në skenën globale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë