Shendet

Shqipëria merr vaksinën e parë kineze, marrëveshja “sekret”

Pas marrjes së 10 mijë dozave të vaksinës ruse, Shqipëria do të marrë një sasi të papërcaktuar vaksinash kineze, sipas një kontrate sekrete të lidhur mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe një kompanie turke, që shërben si shpërndarese e këtyre vaksinave.

Marrëveshja është nënshkruar me kompaninë turke “Keymen Ilaç Sanayi ve Ticaret”. Në publikimin surprizë të bërë në Fletoren Zyrtare, kjo kompani do të furnizojë Shqipërinë me vaksinën Coronavac, krijuar nga kompania kineze Sinovac.

Në nenin dy thuhet se marrëveshja nuk do të publikohet as në faqet zyrtare të Qeverisë dhe as në Fletoren Zyrtare për shkak të sekretit tregtar.

Përveç përcaktimit të hyrjes në fuqi menjëherë të këtij vendimi, në të nuk jepet asnjë detaj në lidhje me sasinë e vaksinave, koston e tyre dhe kohën se kur do të mbërrijnë dozat e para.

E përbashkëta e marrjes së vaksinës kineze me atë ruse është fakti se që të dyja vaksinat nuk janë të autorizuara ende nga Agjencia Europiane e Barnave dhe që të dyja, Shqipëria i merr prej vendeve të treta. Në rastin e Sputnik si dhuratë nga një princ i Emirateve dhe në këtë rast përmes një kompanie turke.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë