Njerez

Shqipëria me lindshmërinë më të ulët në Europë në 2022, lë pas vetëm Spanjën

Nga Gazeta Si – Sipas të dhënave të publikuar sot nga Eurostat, Shqipëria ka normën e lindjeve ndër më të ulëtat në Europë për 2022, duke lënë pas vetëm Spanjën.

Shqipëria kishte një indeks fertiliteti 1.21 fëmijë për grua ndërkohë që Spanja kishte një indeks 1.16 fëmijë për grua.

Norma totale e lindshmërisë, 2022 (lindjet për grua). Marrë nga Eurostat.

Organizata Ndërkombëtare për Migracion, IOM, ka publikuar raportin e popullsisë në 2023 dhe panorama për Shqipërinë nuk është shumë optimiste.

Sipas IOM, numri i përgjithshëm i popullsisë së Shqipërisë do të arrijë brenda një kufiri realist midis 2.06 dhe 2.3 milionë banorësh deri në vitin 2050, nga 2.83 që është tani.

Projeksionet e reja të IOM tregojnë popullata e fëmijëve 0-19 vjeç do të pësojë rënie me 47% deri në vitin 2050, ndërsa popullsia mbi 65 vjeç do të zgjerohet me 56%.

“Nëse supozojmë se popullsia e vendit në fund të vitit 2020 ishte 2,83 milionë banorë, numri i përgjithshëm duhet të arrijë në nivelin prej 2,34 milionë banorësh brenda një kufiri realist midis 2,06 dhe 2,64 milionë banorësh deri në vitin 2050”, sipas projeksionit të IOM.

Në të njëjtën linjë ishte dhe parashikimi i Instat, ku parashikohej se për 10 vitet e ardhshme, popullsia e re e Shqipërisë do të ulet me 3%, për çdo vit.

Numri i lindjeve për tremujorin e katërt 2023 ka shënuar një rënie me 7.6 për qind, krahasuar me tremujorin e katërt të 2022.

Sipas të dhënave nga Instat, numri i lindjeve për tremujorin e katërt është 5857.

Ndërkohë, nëntë qarqe të vendit shënojnë rënie të numrit të lindjeve, në krahasim me tremujorin e katërt 2022.

Qarku me numrin më të lartë të lindjeve është Tirana me 2.126 lindje, ndërsa qarku me numrin më të ulët është Gjirokastra me 104 lindje.

Rënien më të madhe në përqindje të lindjeve, gjatë tremujorit të katërt 2023 krahasuar me tremujorin e katërt 2022 e shënon qarku i Kukësit me 18,8 %.

Edhe në Europë lindshmëria e ulët

Në vitin 2022, 3.88 milionë foshnja lindën në BE, një rënie e lehtë nga 4.09 milionë në 2021. Ndërkohë, numri i fëmijëve të lindur në BE ka ardhur në rënie që nga viti 2008, kur lindën 4.68 milionë fëmijë.

Në Europë edhe në vitin 2022 kryesoi Franca e kishte një indeks fertiliteti 1.79 fëmijë për grua më i lartë në Europë, Rumania 1.71 fëmijë për grua dhe Bullgaria 1.65 fëmijë për grua. Në Rajon, Serbia renditet më mirë në këtë tregues me 1.59 fëmijë për grua.

Norma totale e fertilitetit në vitin 2022 ishte 1.46 lindje për grua në BE, që është një tjetër rënie, pas rritjes së vogël të regjistruar në vitin 2021 (shkalla totale e lindshmërisë ishte 1.53 në 2021 dhe 1.51 në 2020).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë