Policia Kufitare njofton të gjithë qytetarët se pikat e kalimit kufitar me Kosovën do të mbyllen për 14 ditë, për arsye të parandalimit të COVID-19.
“Duke filluar prej orës 10:00 të datës 14.03.2020, nuk do lejohet asnjë automjet dhe asnjë shtetas të hyjnë në Kosovë dhe anasjelltas”, njofton policia.
Policia më tej thotë se do lejohen të hyjnë në Kosovë, shtetasit kosovarë që janë në Shqipëri dhe duan të kthehen në Kosovë, si dhe do lejohen të hyjnë në Shqipëri, shtetasit shqiptarë që janë në Kosovë dhe duan të kthehen në Shqipëri.
Do lejohen ambulancat, lëvizja e mallrave dhe makinave qeveritare.
Ky vendim i palës kosovare është marrë për të gjithë kufirin e Kosovës, jo vetëm për kufirin me Shqipërinë.
Policia Kufitare kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të anulojnë lëvizjet e planifikuara dhe ata që ndodhen duke lëvizur në drejtim të Morinës, të kthehen mbrapa, pasi nuk do lejohen të kalojnë.
Kjo masë vjen një ditë pasi Kosova njoftoi për dy raste të prekur me Koronavirus.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




