Gazeta Si – Shqipëria mbështet sulmet që Shtetet e Bashkuara kryen mbi disa objektiva bërthamore në Iran.
Kryeministri Edi Rama, shkroi në rrjetet sociale se Tirana zyrtare mbështet përpjekjet të presidentit amerikan, Donald Trump, që Irani të mos zotërojë armë bërthamore.
“Si një shtet që ka dalë nga errësira e një regjimi teokratik brutal dhe një anëtar krenar i botës së lirë dhe si një partner strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipëria shpreh mbështetjen e saj të palëkundur për përpjekjet e Presidentit Trump në ndalimin e regjimit teokratik në Teheran që të zotërojë armë bërthamore”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare shkruan se Irani nuk është thjesht një diktaturë me ambicie bërthamore, por një teokraci e rrezikshme.
“Është një teokraci, e pajisur me një retorikë apokaliptike, e ngulitur në një traditë shtatëdhjetëvjeçare të etiketimit të kombeve të lira si “satanike” dhe që bën thirrje të hapura për zhdukjen e tyre. Në çdo drejtim, ky është një përjashtim i rrezikshëm, ndryshe nga çdo shtet tjetër që disponon armë bërthamore, pavarësisht sistemit të tij politik”, shkruan Rama.
SHBA-të sulmuan Fordow-n dhe centrale të tjera bërthamore në Iran, në një operacion që u përshkruan nga autoritetet amerikane si “i shpejtë dhe preciz”.
Presidenti Donald Trump paralajmëroi se Irani duhet të bëjë paqe ose sulmet e ardhshme do të jenë “shumë më të mëdha”.
Ndërkohë, zyrtarët amerikanë lanë të hapur mundësinë për negociata, duke theksuar se “ambicia bërthamore e Iranit është shkatërruar”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.