Treg

Shqipëria jo më tërheqëse? Ulen investimet e huaja direkte

Nga Gazeta ‘SI’ – Në fillim të vitit 2025, interesi i të huajve për të investuar në Shqipëri është zbehur, të paktën kështu tregojnë shifrat.

Banka e Shqipërisë raporton se në fillim të 2025-s investimet e huaja regjistrohen në 362 mln euro, nga 423 mln në fund të 2024-s, përkthyer në rënie 14%.

Përpos një rritje të lehtë të investimeve në industri, sektorët e tjerë kanë pësuar të gjithë rënie, përfshirë atë të real estate. Flukset në pasuritë e paluajtshme raportohen në 104 mln euro, nga 110 mln që ishin në fund të vitit 2024. Gjithësesi nga një vit më parë, IHD-të në këtë treg janë rritur me 20 mln euro.  

Edhe pse qeveria ka shprehur shqetësim për origjinën anonime të investitorëve të huaj në Shqipëri, statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se pjesa më e madhe e investimeve, 69 mln euro, vjen nga burime “konfidenciale”, zë që është reduktuar me 33 mln euro. Turqia dhe Holanda mbeten investuesit kryesorë në Shqipëri, respektivisht me 50 dhe 49 mln euro investime, ndonëse me rënie.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë