Menaxhim

Shqipëria i hap rrugë ndërtimit të paneleve agri-solare. Si do të shfrytëzohet toka bujqësore për të vendosur panele diellore

Nga Gazeta ‘SI’ – Lufta për të gjetur burime të reja energjie ka nxitur qeverinë të bëjë ndryshime në ligjin për energjinë e rinovueshme.

Duke qenë se parqet eolike apo fotovoltaike kërkojnë hapësira të mëdha toke, qeveria ka menduar të vërë në dispozicion edhe tokat bujqësore, por pa prekur prodhimin.

Quajtur “agri-fotovoltaike”, impiantet solare dhe eolike do të mund të instalohen në toka bujqësore me nivel boniteti 7, 8 dhe duhet të plotësojnë kriteret e vendosura.

Ushtrimi i aktivitetit bujqësor të jetë në mënyrë të pandërprerë për çdo vit. Plani i biznesit dhe miratimi nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural depozitohen në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë në momentin që investitori aplikon për pajisjen me të drejtën e ndërtimit të kapacitetit të ri gjenerues, sipas legjislacionit përkatës;

Sistemet e paneleve fotovoltaike, që do të instalohen në tokë bujqësore, me bonitet 7 dhe 8, të përfshijnë një sistem të integruar, të sigurojnë raportim të parametrave të përdorimit të ujit, shëndetin e kulturave të mbjella, ruajtjen e shëndetit të tokës bujqësore.

Instalimi i moduleve fotovoltaike të ndjekë drejtimin e punimit të mekanizuar të tokës dhe të mos pengojë përdorimin e mekanikës, duke respektuar këto kritere: largësia e moduleve të vendosura në drejtimin e punimit të tokës të jetë jo më pak se 4 (katër) metra; ii. largësia e rreshtave të moduleve fotovoltaike të jetë jo më pak se 4 (katër) metra; iii. lartësia e moduleve fotovoltaike të jetë jo më pak se 3 (tre) metra; iv. tërësia e sipërfaqes së moduleve, që prodhojnë energji të rinovueshme, të jetë jo më e madhe se 40% e tërësisë së sipërfaqes së parcelës ku vendosen panelet;v. në rastin e vendosjes vertikale të moduleve, të respektohet largësia e rreshtave në gjatësi të parcelës,jo më pak se 7 (shtatë) metra;

Sipërfaqja e tokës në dispozicion të aktivitetit bujqësor nuk mund të jetë më pak se 60% e saj;

Instalimet e infrastrukturës së vendosjes së paneleve të jenë të çmontueshme dhe të mos përdoren materiale, të cilat dëmtojnë tokën; dh) Sipërfaqja e moduleve fotovoltaike në tokë bujqësore për aktivitet agrofotovoltaik të lejojë jo më pak se 60% dritë në të mbjella, duke siguruar diellzimin e nevojshëm për kulturat bujqësore;

Prodhimi bujqësor të mos jetë më i vogël se 70% e prodhimit bujqësor, para instalimit të paneleve ose rendimentit të referencës, i cili llogaritet duke përdorur mesataren trevjeçare, në rang bashkie. Në rastet e mungesës së të dhënave të prodhimit bujqësor, përdoren të dhënat që publikohen nga agjencitë rajonale të ekstensionit bujqësor dhe të konfirmuara nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bazuar në bonitetin e tokës bujqësore.

Kriteret për eolikët

Vendimi përcakton se gjithashtu kriteret për ushtrimin e aktivitetit për ndërtimin e infrastrukturës dhe veprave ndihmëse për zhvillimin, prodhimin, tregtimin, shfrytëzimin, operimin, shpërndarjen dhe transmetimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme eolike në tokat bujqësore, me bonitet deri në 8.

Ushtrimi i aktivitetit bujqësor të jetë në mënyrë të pandërprerë për çdo vit, bazuar në planin e biznesit; largësia e turbinave eolike të jetë jo më pak se 200 (dyqind) metra; sipërfaqja e tokës në dispozicion të aktivitetit bujqësor nuk mund të jetë më pak se 70% e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë