Nga Gazeta Si – Shqipëria ndodhet në kulmin e sezonit të virozave dhe gripit stinor të cilat vetëm në javën e fundit të vitit 2023 regjistruan mbi 11 mijë të prekur, mes të cilëve 13 raste të rënda me grip, të identifikuar nga shtrimet në spital.
Burime zyrtare nga Instituti i Shëndetit Publik thanë për Gazetasi.al se në periudhën kohore 25-31 dhjetor janë identifikuar nga regjistrimi i të sëmurëve në qendrat shëndetësore rreth 66 raste me grip.
LEXO EDHE:
– Gripi, rreziqet, komplikimet e mundshme dhe kush duhet të konsultohet me mjekun
– Regjistrohet viktima e parë nga gripi, vdes 70-vjeçari nga Gjirokastra. Piku i virozave pritet në fillim të shkurtit
– Shqipëria në sezonin e gripit/ Mjekja mikrobiologe: Si të bëni dallimin me rrufën dhe Covid
“Në total këtë javë janë konfirmuar 66 raste. Mesatarja ditore e rasteve të reja për javën e 52-të është 9.4 raste në ditë. Në javën e 52-të të vitit 2023 incidencën më të lartë e ka grupmosha mbi 75-vjeç dhe ajo 35-44 vjeç”, thanë burimet zyrtare për Gazetasi.al.
Nga të dhënat zyrtare të ISHP mësohet se në dhjetëditëshin e fundit të dhjetorit u identifikua qarkullimi i gripit të tipit A në vendin tonë për sezonin 2023-2024.
Sipas ISHP, gripi stinor ka shtuar qarkullimin e tij në javën e parë të muajit janar 2024 e bashkë me të dhe virozat respiratore, të sipërme dhe të poshtme.
Nga informacioni i siguruar përmes survejancës së rasteve të rënda dhe atyre spitalore mësohet se këtë periudhë shtim të qarkullimit ka patur dhe Covid-19 çka ka bërë që zgjatja e simptomave të jetë dhe më e gjatë se 3 ditë.
Incidenca është lehtësisht në rritje vetëm tek fëmijët nën pesë vjeç ku incidenca është e barabartë me 48.7 raste për mijë të asistuar (47.5 javën e kaluar), e qëndrueshme tek të rriturit dhe të moshuarit.
Trendi i virusit të frymëmarrjes
Sipas ndarjes me përqindje të viruseve përgjegjëse për infeksionet, theksohet se virusi i gripit ka numrin më të madh të të prekurve, më pas renditet Covid-19 dhe pjesa tjetër janë virozat respiratore si Rhinovirus, Adenovirus etj.
Gripi sezonal është një sëmundje ngjitëse e rrugëve të frymëmarrjes, e shkaktuar nga viruset e gripit, e cila në vendin tonë shfaqet çdo vit në muajt e ftohtë, megjithëse episodet e herëpashershme janë të mundshme edhe jashtë muajve të dimrit.
Transmetimi dhe inkubimi
Shumica e të rriturve të shëndetshëm janë ngjitës duke filluar nga një ditë para fillimit të simptomave dhe mbeten të tillë deri në 5-7 ditë pas shfaqjes së parë të sëmundjes (fëmijët mbeten ngjitës edhe për më shumë se një javë).
Kjo do të thotë që ju mund të infektoheni edhe para se të kuptoni se jeni i sëmurë, si dhe kur simptomat shfaqen në të vërtetë. Disa njerëz të infektuar mund të mbeten asimptomatikë dhe ende të përhapin virusin.
Çdokush me grip mund të infektojë drejtpërdrejt këdo brenda një rrezeje prej rreth 2 metrash. Shumica e ekspertëve besojnë se viruset e gripit përhapen kryesisht përmes pikave të përhapura përmes kollitjes, teshtitjes ose pështymës kur flasin.
Periudha nga ekspozimi ndaj virusit deri në fillimin e simptomave (inkubimi) zgjat 1 deri në 4 ditë, mesatarisht 2 ditë. Kohëzgjatja e çrregullimeve është zakonisht maksimumi 7 ditë për të rriturit dhe deri në 10 ditë për fëmijët. Ata që kanë grip shpesh përjetojnë disa ose të gjitha simptomat.
Gripi është i paparashikueshëm dhe ashpërsia e tij mund të ndryshojë, madje shumë, nga një sezon në tjetrin, në varësi të faktorëve të ndryshëm, duke përfshirë:
– lloji i virusit (agresiviteti, prania dhe përhapja e viteve të mëparshme, …),
– respektimi i fushatave të vaksinimit,
– aftësia e vaksinës së gripit për të luftuar pikërisht viruset që shkaktojnë sëmundjen.
Shumica e njerëzve që sëmuren kanë simptoma të lehta dhe nuk kërkojnë ndihmë mjekësore ose ilaçe antivirale, duke u rikuperuar spontanisht në më pak se dy javë. Njerëzit e tjerë, megjithatë, janë në rrezik më të madh për të vuajtur komplikime që rezultojnë në shtrimin në spital dhe në disa raste edhe vdekje.
Pneumonia, bronkiti, sinusiti dhe infeksionet e veshit janë të gjitha shembuj të komplikimeve të shpeshta të sëmundjes, të cilat gjithashtu mund të përkeqësojnë gjendjet kronike, p.sh: ata që vuajnë nga astma mund të kenë sulme më të shpeshta dhe më të rënda.
Përveç viruseve të gripit, gjatë stinës së dimrit mund të qarkullojnë edhe disa viruse të tjera të frymëmarrjes, të cilat mund të shkaktojnë simptoma dhe çrregullime të ngjashme me gripin. Viruset jo-grip përfshijnë rinoviruset (të cilët shkaktojnë ftohje) dhe virusin sincicial të frymëmarrjes (RSV), shkaku më i shpeshtë i sëmundjeve të rënda të frymëmarrjes tek fëmijët dhe një shkak kryesor i sëmundjeve të frymëmarrjes tek të rriturit më të vjetër mbi moshën 65 vjeç.
Shumica e njerëzve të prekur kanë simptoma të lehta dhe nuk kanë nevojë të kërkojnë kujdes mjekësor ose ilaçe antivirale. Nëse shfaqen simptoma të sëmundjes, në shumicën e rasteve duhet të qëndroni në shtëpi, duke shmangur kontaktin me persona të tjerë.
Megjithatë, nëse keni simptoma të infeksionit dhe jeni pjesë e një grupi me rrezik të lartë, jeni shumë të sëmurë ose të shqetësuar, mund dhe duhet të kontaktoni mjekun tuaj të familjes, mundësisht me telefon fillimisht.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




