Shendet

Shqipëria në sezonin e gripit/ Mjekja mikrobiologe: Si të bëni dallimin me rrufën dhe Covid

Nga Sorgena Leka - Shqipëria është futur zyrtarisht në sezonin e gripit ku tashmë janë izoluar rastet e para. Blerta Brati, mikrobiologe dhe zv/drejtoresha teknike në ISHP thotë për Gazetasi.al se gjithsesi situata është nën kontroll, edhe pse ende në pikun e vet.

“Jemi në muajin dhjetor dhe është evidentuar qarkullimi i gripit, aktualisht me intensitet të ulët, por në javët në vijim parashikohet një trend në rritje. Gjithashtu kemi bashkë qarkullim edhe të Covid-19 që paraqet një trend të qëndrueshëm me numër të ulët të rasteve javore”, thotë Brati, duke shtuar se infeksionet respiratore mbizotërojnë në moshat pediatrike.

Brati tregon për Gazetasi.al se situata epidemiologjike është normale dhe e zakonshme për stinën.

Meqenëse simptomat e gripit dhe të ftohjes së zakonshme janë kryesisht të ngjashme: hundë si e bllokuar, dhimbje fyti, kollë, lodhje, ethe, është e rëndësishme të jeni në gjendje të dalloni ndryshimin për të trajtuar më mirë secilin prej këtyre infeksioneve dhe për të shmangur rrezikun e komplikimeve për gripi.

Mjekja mikrobiologe Blerta Brati. Gazeta Si, dhjetor, 2023.

Dallimi në frekuencë dhe rrezikshmëri

Për sa i përket shpeshtësisë, një person kap afërsisht 1 episod gripi në vit, ndërsa ftohja shpesh ndodh 2 deri në 4 herë gjatë vitit tek të rriturit dhe 6 deri në 10 herë tek fëmijët.

“Dallimi kryesor midis gripit dhe ftohjes së zakonshme është se sa i rrezikshëm është”, thotë Brati, duke shtuar se gripi shkakton disa mijëra vdekje në vit për shembull, më shumë se 24,000 në Shtetet e Bashkuara, ndërsa ftohja e zakonshme pothuajse kurrë nuk shkakton komplikime serioze dhe për pasojë vdekje.

“Pneumonia është shpesh një ndërlikim serioz i gripit. Megjithatë, kini kujdes nga ftohjet tek një i porsalindur që mund të çojë në vështirësi në frymëmarrje”.

Brati shpjegon se ftohja e zakonshme shkaktohet nga më shumë se 100 viruse të ndryshme, ndërsa gripi vjen nga një virus i vetëm. Edhe pse virusi i gripit ndryshon nga viti në vit, është më e lehtë të bësh një vaksinë për gripin sesa për viruset e shumta të ftohjes.

Simptomat e rrufës/ftohjes

Simptomat kryesore të ftohjes/rrufës, janë dhimbja e fytit, hunda e mbytur( ndjesi bllokimi), ndonjëherë dhimbja e kokës pastaj kolla.

Këto simptoma mbërrijnë njëra pas tjetrës, i ftohti në përgjithësi fillon me dhimbje fyti dhe nganjëherë gjëndra të fryra pak më pas dhe përfundon pas disa ditësh me një kollë. Temperatura është shpesh e ulët ose nuk ekziston. I ftohti rrallëherë shoqërohet me temperaturë tek të rriturit, thotë Brati, ndërsa sytë e përlotur dhe një dhimbje koke e moderuar mund të shfaqen gjithashtu gjatë një ftohjeje.

“Kur jeni të ftohur ose me rrufe, keni ende energji për t'u ngritur nga shtrati dhe për të ecur pak”, ndërsa gjatë gripit, simptomat shfaqen shpejt dhe papritmas (brenda disa orësh), ndryshe nga një ftohje e keqe ose ftohje e lehtë. Simptomat e ftohjes janë të pranishme (dhimbje fyti, hundë e mbytur, kollë) por shoqërohen edhe me temperaturë të lartë, mbi 39°C (shumë shpesh mbi 38°C), me dhimbje të shpeshta në trup, veçanërisht në kyçe. Të përzierat, të vjellat dhe diarreja janë gjithashtu simptoma të mundshme të gripit (ose shumë rrallë të ftohjes). Një person që vuan nga gripi në përgjithësi do të ndihet shumë i lodhur. Prandaj, pushimi është thelbësor për disa ditë.

Kur keni grip, nuk keni energji të ngriheni nga shtrati apo të ecni pak.

“Duhet të dini gjithashtu se gripi mund të çojë në komplikime serioze si pneumonia ose sepsis. Sëmundjet më pak serioze si sinusiti dhe otiti mund të shkaktohen gjithashtu në mënyrë indirekte nga gripi”.

Për t'u siguruar që është me të vërtetë gripi, Brati thotë se mjeku mund të kryejë një test për të identifikuar virusin e gripit (virusin e influencës).

Ndërkohë, mjekja mikrobiologë thotë se nuk ka asnjë trajtim specifik për ftohjen, as një vaksinë për të parandaluar sëmundjen ndërkohë, “është e rëndësishme të themi se antibiotikët nuk knë vlerë dhe nuk duhen përdorur, pasi të dyja janë sëmundje virale”.

Si mund ta dallojmë nëse është grip apo Covid-19?

“Si gripi ashtu edhe Covid-19 janë infeksione ngjitëse të mushkërive që shfaqen me simptoma të ngjashme, por shkaktohen nga viruse të ndryshme”, thotë mjekja mikrobiologë e cila sqaron se dhe Covid-19 është një sëmundje e klasifikuar si grip ku papritmas ju keni temperaturë, dhimbje koke, dhimbje trupi, kollë, ndonjëherë nuk ndiheni mirë.

“Të njëjtën situatë ne e gjejmë edhe tek gripi. Për Covid-19, megjithatë, ne vëzhgojmë simptoma specifike si anosmia, që është humbja e nuhatjes ose shijes së ushqimit”.

Brati thotë se është e rëndësishme të bëhet një test për të zbuluar nëse keni Covid-19 ose grip, ose dhe rruf, pasi shpeshherë shenjat janë të njëjta, ndaj testi vendos kush është shkaktari dhe gjithashtu edhe medikamentet antivirale të përdorura për trajtim, do të ndryshojnë në varësi të rastit.

Pse shtimi i rasteve cilësohet si normale?

Ekzistojnë dy lloje kryesore të viruseve të gripit, të quajtura gripi A dhe gripi B. Këto dy lloje virusesh ndryshojnë mjaftueshëm nga viti në vit për të shmangur sistemin tonë imunitar dhe për të shkaktuar një epidemi gripi sezonal.

Ndërkohë Covid-19 shkaktohet nga infeksioni i njohur gjithashtu si SARS-CoV-2. Edhe ky virus ka evoluar dhe ka shkaktuar mutacione, sepse përhapet më lehtë.

Si Covid-19 ashtu edhe gripi mund të përhapen nga personi në person përmes pikave ose grimcave më të vogla virale të prodhuara kur njerëzit e sëmurë kolliten, teshtijnë ose flasin. Grimcat më të vogla mund të kalojnë në ajër, duke vënë në rrezik një person tjetër që t'i thithë ato dhe të infektohet.

Mjekja mikrobiologe shpjegon se vaksina e gripit nuk mbron nga Covid-19.

“Covid-19 dhe gripi janë sëmundje të ndryshme, prandaj kërkojnë vaksina të ndryshme”.

Çdokush mund të preket nga gripi sezonal por ai mund të jetë më serioz për personat e moshës 65 vjeç e lart, personat që kanë probleme shëndetësore si: kanceri dhe çrregullime të tjera të lidhura me imunosupresionin, diabeti sëmundje të zemrës, anemi, obezitet, sëmundje të veshkave, çrregullime neurologjike ose neurozhvillimore, gratë që janë shtatzënë ose planifikojnë të mbeten shtatzënë dhe foshnjat gjashtë muajsh ose më të vegjël.

“Gripi mund të prekë të gjithë, por nuk na prek të gjithëve në të njëjtën mënyrë. Edhe njerëzit e shëndetshëm mund të përjetojnë komplikime të lidhura me gripin. Gripi gjithashtu mund të shkaktojë komplikime serioze si inflamacioni i zemrës, trurit ose indeve dhe muskujve, ose dështimi i organeve të shumta”, thotë Brati.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë