Zëri i Amerikës thotë se Shqipëria e ka humbur përfundimisht gjyqin me sipërmarrësin Italian, Françesko Beketi, për dëmshpërblimin e kërkuar prej tij për mbylljen e televizionit “Agon” në 2015-ën.
Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID), një gjykatë arbitrazhi, pjesë e Bankës Botërore, e dënoi Shqipërinë në prill të 2019-ës me 110 milionë euro, duke gjykuar se mbyllja e televizionit ishte “motivuar politikisht”.
Ky dënim përfaqëson edhe vlerën më të lartë, me të cilën Shqipëria është dënuar nga një gjykatë arbitrazhi. Autoritetet shqiptare reaguan, duke kërkuar anulimin e vendimit të marrë. Në gusht të 2019-ës, ICSID pranoi ankimimin duke urdhëruar pezullimin e përkohshëm të ekzekutimit të vendimit të saj. Kërkesa për anulim është një formë e jashtëzakonshme rekursi e parashikuar në mbrojte të parimeve themelore juridike që lidhen më një proces.
Një palë mund të kërkojë anulimin e plotë ose të pjesshm të një vendimi, duke u mbështetur së paku në një prej 5 rasteve të parashikuara nga vetë rregullat e ICSID-së: kur trupa gjykuese nuk është formuar në mënyrë korrekte; kur ajo ka tejkaluar hapur pushtetin e saj; kur është konstatuar rast korrupsioni nga një prej anëtarëve; kur është vënë re devijimi nga një prej rregullave bazë të procedurave dhe kur vendimi nuk ka mundur të dëshmojë motivet mbi të cilat është bazuar.
Kërkesa e palës shqiptare u bazua te shkelja e procedurave gjatë procesit të arbitrazhit, por Komisioni Ad Hoc i ngritur për shqyrtimin e rastit, nuk e ka gjetur të drejtë pretendimin e palës shqiptare, që do të duhet tanimë të paguajë dëmshpërblimin prej 110 milionë eurosh.
Avokatura e Shtetit shqiptar kishte përzgjedhur për t’u përfaqësuar në procesin e ankimimit studion amerikane “Foley Hoag”, me një eksperiencë në trajtimin e rasteve të tilla. Ndërsa përballë saj, sipërmarrësi italian përfaqësohej nga dy studio të mëdha ligjore, “Debevoise&Plimpton”, me seli në Nju Jork, dhe “Quinn Emanuel Urquhart&Sullivan”, me seli në Paris dhe Nju York.
Marrë nga VOA
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



