Njerez

Shqipëria humb 4 vende në indeksin e progresit social. Përkeqësohen arsimi, liria dhe e drejta për të zgjedhur

Nga Gazeta Si- Shqipëria përkeqësohet me 4 vende, duke u renditur në të 57-in nga 170 shtete në Indeksin e Progresit Social (SPI) 2023.

Shqipëria është vlerësuar me më shumë pikë te siguria personale dhe strehimi, duke u renditur në vendin e 39 në botë. Ndërkohë, vendi ynë ka një performancë të mirë në ushqyerje dhe kujdesin shëndetësor bazë, të drejtat personale dhe aksesin në informacion dhe komunikim.

Nga ana tjetër, Shqipëra ka renditje negative në komponentë si arsimi, liria dhe e drejta për të zgjedhur vetë në komponentë si martesa në moshë të re, për të zgjedhur një punë të kënaqshme dhe mungesa për t’u edukuar. Gjithashtu, renditje negative ka edhe ndihma nga të afërmit dhe të njohur në rast nevoje.

Ashtu si edhe në raportin e një viti më parë dy komponentët që na rendisin mes vendeve të fundit në indeks janë Liria Personale dhe Zgjedhja dhe Cilësia e ujit dhe Kanalizimet, duke u renditur përkatësisht në vendin e 130 dhe 94 nga 170 vende të marra në studim.

Shqipëria renditet në vend të parë në nënkomponentët për barazinë gjinore në arritjet dytësore (nr. 1), qasjen e energji elektrike (nr. 1) dhe lirinë e lëvizjes së brendshme (nr8).

Vendin e parë e kryeson Danimarka me 90.38 pikë, duke tejkaluar Norvegjinë (vendi i dytë nga i pari një vit më parë), vendi i tretë Finlanda, Islanda në vendin e 4-të dhe Zvicra në vendin e pestë.

Sa i përket vendeve të rajonit, Shqipëria lë pas vetëm Maqedoninë e Veriut, e cila renditet në vendin e 60-të ndërsa Serbia renditet në vendin e 46-të, Mali i Zi në vendin e 45 dhe Bullgaria në vendin e 43. Kosova nuk përfshihet në indeks.

Në total, 61 vende panë një rënie të ndjeshme të progresit të tyre social në vitin 2023 dhe 77 të tjera mbetën në të njëjtin vend. Vetëm 32 vende panë një përparim real.

Kjo rënie shënon recesionin e parë të progresit social në botë në dekadën e fundit, që i atribuohet kryesisht rënies së shëndetit, të drejtave dhe informacionit e komunikimit.

Sot, katër nga pesë njerëz në botë jetojnë në një vend ku përparimi shoqëror është në stanjacion ose në rënie.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë