Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku njoftoi nënshkrimin e marrëveshjes për forcimin e sigurisë së sistemeve digjitale me kompaninë amerikane “Jones International”.
Kjo kompani është e drejtuar nga një ish-ushtarak dhe politikan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, James Logan Jones Jr.
Kryeministri Edi Rama tha se kjo marrëveshje do të rrisë sigurinë digjitale në vendin tonë duke rikujtua dhe njëherë se do të mbyllen sportelet fizike dhe se çdo shërbim do të merret virtualisht.
“Do të krijojmë një sistem sigurie që do të jetë model dhe për vendet e NATO-s”,-tha Rama.
Jones tha se ndihet i nderuar që do të ndihmojë Shqipërinë në luftën kibernetike dhe e cilësoi vendin tonë si një shtet mik të SHBA. Ai tha se me ndihmën që do të ofrojnë, do t’i sigurojnë shqiptarëve vende pune dhe begati.
“Do të punojmë me Shqipërinë për ta bërë më të sigurt në sigurinë kibernetike. Ka rreziqe të qarta dhe të dukshme. Përgëzoj kryeministrin për vizionin për ta shndërruar vendin e tij në pozitë të sigurt. Po kështu mendoj që është një shprehje e marrëdhënieve dypalëshe mes SHBA dhe Shqipërisë që kanë qenë gjithmonë të forta. Suksesi që do të arrijmë do të jetë jo vetëm transformues, por do të sjellë vende pune dhe begati për Shqipërinë. Shqiptarët duhet të jenë përgjegjës për sigurinë e tyre. Presim me pa durim që të punojmë në përputhje me përparësitë tuaja për ta çliruar Shqipërinë nga shqetësimi i sulmeve kibernetike”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.