Njerez

Shqipëria ende në nivelet ku gratë dhe vajzat nuk dallojnë format e dhunës digjitale

Nga Gazeta Si- Ndërsa teknologjia përparon, përshkallëzohen edhe taktikat e dhunës digjitale. Ines Leskaj, drejtuesja e Rrjetit të Fuqizimit të Gruas në Shqipëri tha në Konferencën e Rrjetit Parlamentar “Women free from Violence” se 73% e grave në Europë kanë përjetuar disa forma të dhunës online, dhunë që ka një ndikim afatgjatë tek vajzat dhe gratë.

“Bazuar në eksperiencën tonë, kjo lloj dhune ka ndikim të thellë psikologjik duke përshkallëzuar ankthin, depresionin dhe izolimin social”, tha Leskaj, duke shtuar se dhuna digjitale manifestohet në forma të ndryshme, ku bullizmi, ngacmimet dhe fyerjet janë më të përhapurat.

“Ndikimi psikologjik është shkatërrues dhe shpesh fatal edhe për shkak të opinionit publik”.

Leskaj tha se adresimi I dhunës digjitale përballet me sfida të ndryshme pasi shumica janë dhunues anonim. Gjithashtu ende ekziston stigma dhe frika nga opinion i shoqërisë.

Gjithashtu, tha Leskaj, ka edhe problematika në politikat e sistemeve mbështetëse të përshtatura sipas nevojave të grave dhe vajzave.

Një tjetër problem në adresimin e dhunës digjitale është edhe dallimi i dhunës nga vajzat dhe gratë që janë viktima.

Fushatat ndërgjegjësuese, të zbatuara kryesisht nga organizatat e grave ndihmojnë gratë dhe vajzat të dallojnë shenjat e dhunës kibernetike sepse “jemi ende në nivelet ku gratë dhe vajzat nuk dallojnë format e dhunës kibernetike, ta raportojnë atë dhe të kuptojnë të drejtat e tyre”.

Ne synojmë të forcojmë politikat dhe kuadrin ligjor që mbron gratë dhe i dënon personat që dhunojnë online, tha Leskaj, duke shtuar se duhen forcuar sistemet e mbështetjes, advokimit për politika të përmirësuara dhe duke përdorur teknologjinë mund të krijohet një mjedis më i sigurt për gratë në botën digjitale.

Ndërkohë, Iris Luarasi, drejtoreshë e linjës së këshillimit për vajzat dhe gratë shpjegoi efektet e dhunës online me anë të një shembulli.

“Një 15-vjeçare dërgoi një foto tek një person që e besonte. Ai e shpërndau foton në rrjetet sociale dhe emri i vajzës doli kudo në internet”, tregoi Luarasi, e cila tha më pas se vajza është një e mitur që në ardhmen do futet në tregun e punës dhe kjo do ndikojë në marrëdhëniet e saj me kolegët por edhe në marrëdhëniet romantike që mund të ndërtojë në të ardhmen.

“Që të ndalojmë këto sjellje duhet të dimë kush janë pas kësaj. Qendra që unë drejtoj është duke hartuar një ligj mbi dhunën në internet dhe pothuajse 1/4 e grave që marrin shërbim nga shoqata jonë ka qenë pjesë e dhunës digjitale dhe vetëm 96% të rasteve, keqbërësit janë kapur. Kryesisht është dhunë seksuale dhe shpërndarje të përmbajtjeve pornografike e nëse kjo lloj dhunë nuk do të ndalojë, do ndikojë në sigurinë e përgjithshme të këtyre grave dhe në personalitetin e tyre”, tha Luarasi.

Materialet janë një përfitim monetar për keqbërësit në rrjetet sociale dhe këtë duhet ta rregullojmë në të njëjtën mënyrë sikurse rregullojmë botën tonë, tha Luarasi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë