Nga Gazeta 'Si'-Ines Nurja, pedagogia e statistikave që ka drejtuar për shumë vite INSTAT-in, ka hedhur dyshime të forta për manipulimin e numrit të pergjithshëm të popullsisë, të dalë nga Censi 2023.
Në një intervistë për Gazetasi.al zonja Nurja, e cila drejton edhe Departamentin e Statistikave në PD, solli disa argumenta pse numri i të larguarve nga Shqipëria, nuk është 400 mijë, por është shumë më i madh sesa ai që deklaroi INSTAT-i.
“Të dhënat e INSTAT bien në kundërshtim me të dhënat nga burime të tjera indirekte, si Eurostat, sipas të cilit, në vitet 2012-2022 janë pajisur me letra për herë të parë, pra janë larguar nga Shqipëria me letra, 508 mijë individë. Këtu nuk llogariten azilkërkuesit apo emigrantët e paligjshëm”- tha zonja Nurja, e cila, edhe kështu siç janë të dhënat, sheh me shumë shumë shqetësim të ardhmen e vendit për shkak të largimeve masive.
“Plakja e popullsisë dhe punësimi, janë dy problemet kryesore që janë krijuar dhe për të cilat duhen marrë masa konkrete. Shqipëria është e dyta pas Spanjës për lindshmërinë më të ulët, ndërsa 80% e të larguarve janë deri në 35 vjeç, që do të thotë se ësgtë larguar rinia”- tha Ines Nurja në intervistën e saj për Gazetasi.al ku sjell edhe shembuj sesi mund të frenohet largimi i të rinjve dhe shpopullsimi i shpejtë i vendit.
Gazeta Si: Në këndvështrimin tuaj, si ish drejtuese e INSTAT dhe që keni drejtuar një proces të regjistrimit të popullsisë në 2011-ën , a janë të besueshme të dhënat e Censit 2023?
Ines Nurja: Të dhënat nga Census 2023 ishin një popullsi 2.4 milionë afërsisht dhe për 12 vjet ndryshimi ishtë 400 mijë të emigruar dhe, bashkë me shtesën natyrore, numri i të larguarve nga Shqipëria, shkon në 500 mijë. Të dhënat e INSTAT bien në kundërshtim me të dhënat nga burime të tjera indirekte. Mund t’ju përmend Eurostat, që ka të dhëna të përvitshne për largimet e shqiptarëve gjatë këtyre 12 viteve. Në vitet 2012-2022 janë pajisur me letra për herë të parë, pra janë larguar nga Shqipëria me letra, 508 mijë individë, ku pjesa më e madhe kanë qenë për bashkime familjare, grupi i dytë më i madh ka qenë për punësim, ndërsa për studim është një numër relativisht i vogël dhe të tjerët kanë qenë për arsye të ndryshme.
Duke qenë se janë të pajisur me letra, rikthimi në Shqipëri nuk ndodh, sepse ata janë larguar për të jetuar në atë vend të BE-së. Po të nisemi nga të dhëna të tjera, siç janë azilkërkuesit apo ata që jetojnë në një vend të BE-së në mënyrë ilegale, shifra është akoma rreth 400 mijë. Prandaj, këto të dhëna të para bien në kundërshtim me ato që ka nxjerrë INSTAT. Nisur nga rregjistrimet në arsim, sipas të dhënave zyrtare, 2012-2023 janë 268 mijë të rregjistruar më pak, duke nisur nga kopshti deri në arsimin e lartë. Pjesa më e madhe janë larguar me familjet. Kjo është një e dhënë tjetër që konfirmon se numri i atyre që janë larguar është më i madh sesa ai që ka mxjerrë INSTAT. Për mendimin tim, të dhënat e censusit lënë vend për diskutim. Në momentin që numri del, debati i parë është për numrat, por pas kësaj, duhet të kalohet në diskutimin e të dhënave që kanë dalë, sepse për momentin, të dhënat nuk mund të ndryshojnë dot.
Gazeta Si: Koha që u mor për të publikuar të dhënat e Censit e justifikon punën e bërë apo disa prej tyre duhet të dilnin shumë më herët?
Ines Nurja: Një nga treguesit e tjerë që ka vënë në dyshim të dhënat e INSTAT -it ka qenë koha e daljes së të dhënave. Pas 12 vjetësh, INSTAT e ka kryer censusin me tablet. Faktikisht, censusi duhet të niste në 2020-ën, por u shty për arsye pandemie, në 2021 për arsyen e zgjedhjeve dhe në 2022 se nuk u arrit të bëhej tenderi për 8 mijë tableta. Kjo duhet arsye e pavërtetë, por, kur censusi u krye me tabet, në 2023 dhe pasi ai përfundoi, të paktën të dhënat sesa ishite numri i rregjistruar si popullsi duhet të dilnin brenda 2 ditëve. Vendet e rajonit, Kosova, Mali i Zi, Serbia e kanë nxjerrë numrin për një afat shumë të shkurtër kohor. Përpunimi i të dhënave të tjera, në nivel qarku, bashkie mund të kërkojë një kohë më të gjatë. Këto quhen të dhëna oaraprake. Metodologjia është që nxirret popullsia sa janë rregjistruar dhe, më pas; dalin të dhënat finale. Njerëzit duhet të njihen me këtë informacion, pasi kjo është pyetja e madhe: sa kanë ngelur në vendin tonë.
Serbia i ka nxjerë për 5 javë të dhënat paraprake. Mali i Zi për 4 javë. Në marrim 8 muaj për të nxjerrë disa rezultate që quhen të plota, por faktikisht ka mungesa, sepse nuk ka të dhëna për bujqësinë, nuk ka të dhëna për punësimin. Pra nuk mund të quhet një rezultat final ato që u nxorën në qershor. Prandaj, 8 mujori i vonesës në shpalljen e rezultateve është një nga dyshimet më të forta se rezultati i nxjerrë nuk është i saktë. E theksoj që INSTAT duhet të kishte nxjerrë popullsinë e rregjistruar në një afat shumë të shkurtër kohor. Në 2011-ën, këto janë nxjerrë për 5 javë. 12 vjet më vonë, vonohemi me 8 muaj për këto të dhëna jo finale.
Gazeta Si: Të dhënat zyrtare tregojnë për rreth 400 mijë të larguar në 12 vjet. Çfarë do të thotë kjo për një vend?
Ines Nurja: Të dhënat zyrtare tregojnë 400 mijë, por faktikisht, janë më shumë. Këtyre 400 mijë u duhet shtuar edhe shtesa natyrore rreth 88 mijë. Ndërkohë, INSTAT-i ka matur, si çdo herë tjetër, edhe ata që kanë emigruar dhe që janë kthyer gjatë viteve 2011-2023, rreth 108 mijë persona. Pra, me përafërsi, janë mbi 500 mijë vetë që janë larguar për 12 vjet. Për Shqipërinë kjo do të thotë shumë, sepse konfirmon largimin e një pjese shumë të madhe të popullsisë për një dekadë dhe këto të dhëna janë të matura për një periudhë kohore kur lindshmëria ka nqenë në një gjendje normale 1.8-1.9. Në momentin kur kemi një lindshmëri shumë të ulët në këto monënte, kur largimi vazhdon, lind pyetja se çfarë do të ndodhë pas 10 vitesh? Problemi më i madh që do të kemi lidhet me punëismin. A do të kemi ne forcë punëtore për të punuar në Shqipëri? Problemi tjetër i madh është që popullsia në Shqipëri po shkon drejt plakjes. Kemi shkuar në një moshë mesatare 43.5, që është tepër e lartë nga 33 që e kemi patur para 12 vjetësh. Shqipëria po plaket shumë shpejt.
Me këtë forcë punëtore që ka mbetur, kemi 2 probleme madhore: punësimi dhe sistemi i pensioneve, pasi ngrihet pikëpyetja nëse do të jetë Shqipëria në gjendje të paguajë apo jo pensionet. Ky është një problem mjaft i madh, i cili, në radhë të parë, duhet të pranohet nga politikanët, sepse vetëm kur të pranohet, do të merren masat e duhura për të frenuar emigrimin. Ajo që ne mund të bëjmë është frenimi i emigrimit, pasi, gjykoj se rikthimi i të larguarve është tepër i vështirë. Masat ekonomike dhe sociale për frenimin e largimit të moshës së re të shqiptarëve janë emergjente.
Gazeta Si: Nga analiza juaj, cilat janë të dhënat më problematike që tregon Censi 2023 për vendin?
Ines Nurja: Të dhënat më problematike që më bënë përshtypje dhe i preka pak më lart shkojnë në dy drejtime. Së pari, është rritja e moshës mesatare. Kemi kaluar nga 33 në 43.5 vjeç. Nga një analizë më e hollësishme që kam bërë në lidhje me moshën mesatare kam parë të gjitha qarqet, duke krahasuar moshën mesatare të tyre, më ka rezultuar se me përjashtim të Tiranës, që ka një moshë mesatare të re, qarqet e tjera si Vlora, Elbasani, moshën mesatare e kanë mbi 50 vjeç. Në Vlorë, popullsia mbi 50 vjeç është 49.8%, ndërsa popullsia 0-14 vjeç është tepër e vogël, krahasuar me të gjutha qarqet e tjera, vetëm 13%. Kjo tregon se kemi një ikje në masë të moshës së re. Nga një krahasim i moshave rezulton se, në rang kombëtar, më shumë se gjysma e të larguarve janë nga 20-39 vjeç. Kjo do të thotë se këta 500 mijë që kanë ikur, janë moshë e re. Ky është problemi më i madh për Shqipërinë.
Gazeta Si: Plakja e popullsisë në Shqipëri mund të thuhet se është fenomen në rajon? Nëse po, çfarë masash kanë marrë vendet e tjera për ta zbutur?
Ines Nurja: Nga të dhënat që unë kam parë, Shqipëria është vendi me plakjen e popullsisë shumë të shpejtë, sepse, sipas të dhënave të Eurostat. edhe për migrimin zë vendin e parë për moshat e reja. 80% e largimeve nga Shqipëria, qoftë për azil, qoftë për emigrim të paligjshëm janë deri në moshën 35 vjeç. Pra, ne na ka ikur rinia. Lindshmëria është gjëja më problematike. Kur është bërë rregjistrimini i censusit, lindshmëria ka qenë 1.8-1.9, tani lindshmëria është 1.2. Kjo na thotë që në 10 vitet e ardhshme lindshmëria do të jetë një problem shumë i madh. Masat që mund të merren janë qoftë ekonomike, qoftë sociale, sidomos për brezin e ri, duke i ndihmuar me kreditë, me leje lindje për gratë. Duhen masa konkrete ku të investohet shumë fort dhe në mënyrë afatgjatë. Kjo do të thotë që frytet nuk i marrim menjëherë, por për një kohë më të gjatë. Nëse nuk merren këto masa, ne do të gjendeni shumë shpejt para një kolapsi demografik, që do të ndikojë dhe ka ndikuar që tani, si në punësim, edhe në sistemin e pensioneve. Hungaria mund të jetë një shembull.
Është një nga vendet që ka marrë masa drastike, sidomos me lindshmërinë. Psh: ka dhënë kredi me interes zero, ka përkrahur gratë në lindje duke i dhënë 3 vjet pagesën për të rritur fëmijët, duke nxitur kështu lindshmërinë. Duke dhënë kredi me interes zero për apartamentet, çitet e reja janë të detyruar të rrinë në vend dhe kjo çon edhe në lindjen e fëmijëve dhe rritjen e numrit të familjeve. Por kjo kërkon një investim të madh. Hungaria ka investuar 6% të GDP. Është një shumë e madhe, por ka siguruar të ardhmen dalëngadalë. Lindshmëria është rritur dhe po kalon në vendet e para për lindshmërinë më të madhe. Ndërsa Shqipëria është në vendin e dytë, pas Spanjës me lindshmërinë më të ulët.
Gazeta Si: Mund të kërkojë opozita të dhënat e censit për të kuptuar çfarë ka ndodhur dhe si i ka trajtuar ato INSTAT?
Ines Nurja: Opozita nuk mund të kërkojë të dhënat e censusit, sepse ato janë konfidenciale dhe mbrohen me ligj. Por ka mënyra të tjera për të krahasuar dhe konfirmuar të dhënat që ka nxjerrë INSTAT, përmes burimeve indirekte, që na bëjnë të kuptojmë se çfarë ka ndodhur, sepse problemi më i madh është numri. Në bazë të numrit, gjithçka ndryshon. Mendoj që INSTAT duhet të ishte vetë i ndërgjegjshëm për të nxjerrë një nunër sa më afër realitetit, pasi kjo shifër do të mbetet për 10 vjet. Pra për 10 vite, nëse popullsia është e gabuar, çdo politikë, sociale apo ekonomike do të ishte një politikë e gabuar. Sigurisht që ka një mënyrë për ta korrigjuar këtë. Mund të kryhet një minicensus. Si bëhet? Shqipëria është e ndarë në zona numerike, ku çdo zonë numerike ka 100 familje. Kur është kryer censi 2023 është shkuar në çdo familje dhe është kryer pyetësori.
Problemi ynë kryesor është numri, sepse të dhënat e tjera bazohet tek ky numër. Atëherë, mund të kryhet një minice sus duke zgjedhur disa zona numerike për të parë sesa njerëz ka çdo familje. Në këtë lloj mënyre, mund të ndodhë një përdorësim i shifrave të censusit. Pra, ka mënyea të korrigjimit. Një mënyrë tjetër e korrigjimit janë anketat, sepse INSTAT, bazuar në këtë census, kryen të gjirha anketat në vazhdimësi, anketën e forcës së punës, e buxhetit të familjes, e të ardhurave, e konsumit të kohës etj, pra çdo anketë do të kryhet bazuar në këtë popullsi.
Por gjithmonë, kur bëhet një anketë dhe zgjidhet kampionini familjeve, ato përditësihen edhe në terren. Nëse zgjidhen këto zona numerike që përmenda dhe shihet që popullsia nuk është ajo e konstatuar nga censusi, mund të bëhet përditësimi. Nëse ekziston vullneti i mirë për ta bërë, qjo bëhet. Por në momentin që INSTAT ka nxjerrë këto shifra, nuk besoj se ai do të ketë një vullnet për ta bërë këtë rishikim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.