Shendet

Shqipëria, e para në Europë për nivelin e lartë të vdekshmërisë foshnjore në 2019

Shqipëria renditet e para në Europë me normën më të lartë të mortalitetit për foshnjat nën 1 vjeç për vitin 2019.

Sipas raportit të publikuar nga Eurostat, në vitin 2019 në Shqipëri kishte 10.3 fatalitete në 1000 lindje. Të dhënat tregojnë se koeficienti i vdekshmërisë foshnjore ishte më shumë se trefishi i mesatares europiane prej 3.4.

Në vitin 2019 rreth 14.100 fëmijë vdiqën në Bashkimin Europian para se të mbushnin një vjeç.

Gjatë dekadës së fundit, niveli i vdekshmërisë foshnjore në BE ra nga 4.2 vdekje për 1000 lindje në 2009 në 3.4 vdekje për 1 000 lindje në 2019.

Në vitin 2019, nivelet më të larta të vdekshmërisë foshnjore në Europë u regjistruan në Shqipëri me (10.3 vdekje për 1 000 lindje), Turqia (9.1)  dhe Kosova (8.7).

Ndërsa shkalla më e ulët u regjistrua në Islandë (1.1 vdekje), e ndjekur nga Sllovenia, Estonia me 1.6, Norvegjia me 2.1, Suedia me 2.1.

Në krahasim me vitin 1961, vdekshmëria foshnjore u ul në të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Europian me uljet më të mëdha të regjistruara në Portugali (nga 88.8 vdekje për 1 000 lindje në vitin 1961 në 2.8 në 2019), Rumani (nga 71.4 në vitin 1961 në 5.8 në 2019) dhe Kroaci (nga 62.9 në vitin 1961 në 4.0 në 2019).

Të dhënat zyrtare në Shqipëri tregojnë se në shkallë vendi, në vitin 2020 humbën jetën 281 foshnja deri në 1 vjeç, ndërsa në vitin paraardhës 293 foshnja, niveli më i lartë që nga viti 2012.

Për rrjedhojë koeficienti i vdekshmërisë foshnjore mbeti i lartë edhe në vitin 2020 me 10 fatalitete për 1000 lindje.

Kombet e Bashkuara e kanë renditur treguesin e mortalitetit të foshnjave një ndër 30 objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm global për mijëvjeçarin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë