Histori

Shqipëria, e humbura historike në Hagë

Pas takimit me homologun grek Dendias, kryeministri Rama që mban njëherazi edhe detyrën e ministrit të Jashtëm tha se palët do t’i drejtohen drejtësisë ndërkombëtare për të arritur atë që duket e vështirë, në mos e pamundur të shkojë në një marrëveshje mes dy shteteve për kufirin detar.

Shqipëria ka shkuar në Hagë herën e parë, pas  tri ngjarjeve që ndodhën në Kanalin e Korfuzit, më 1946-n. Më 15 maj të atij viti, dy anije luftarake duke lundruar pa flamur ose shenja të tjera identifikimi hyjnë në ujërat territoriale shqiptare në afërsi të Sarandës. Bateria e artilerisë bregdetare u jep sinjal anije luftarake që të ndryshojnë kursin. Pasi anijet vazhdojnë të ndjekin të njëjtin kurs, bateria hap zjarr paralajmërues. Anijet luftarake ngrenë flamurin anglez dhe tërhiqen nga ujërat territoriale shqiptare.

Nasho Xani, ushtar i postës së Rojës Bregdetare në Ksamil me detyrën e mitraljerit, tregonte se me të parë anijet, që ata i mendonin greke, i gjithë efektivi i postës kufitare u hap në pozicione luftimi dhe u përgatit të angazhonte kundërshtarin. Kur anijet u afruan në distancën e qitjes, ai hapi zjarr direkt mbi njërën nga anijet (jo zjarr paralajmërues) me një mitraloz të lehtë italian. Mbas kësaj anijet ngritën flamurin anglez dhe u tërhoqën ngadalë nga ujërat territoriale shqiptare.

Më 22 tetor 1946, katër anije luftarake (1 kryqëzor e 3 destrojerë) të ardhur nga Porti i Korfuzit, kalojnë kanalin e futen në ujërat tona territoriale, duke u afruar midis kepit të Varesë dhe kepit të Kasiopeas. Në afërsi të kepit të Varesë, dy destrojerë ranë në minat e mbetura të Luftës së Dytë Botërore, duke u dëmtuar në konstrukt e njerëz.

“Më 22 tetor të po këtij viti (1946), katër luftanije angleze po vinin drejt brigjeve tona, pa na paralajmëruar më parë për misionin. Kishim urdhër të mos qëllonim edhe nëse ato do të afroheshin shumë afër. Një oficer, këshilltar sovjetik na porosiste orë e çast që të mos qëllonim edhe sikur anijet të preknin bregun. Po ndiqnim me sy çdo lëvizje të anijeve, kur dëgjuam një shpërthim dhe pamë, se dy nga anijet kishin marrë flakë. Kishin rënë në mina. Kush i kishte vendosur minat në Kanalin e Korfuzit ?”, rrëfente Nasho Xhani, i cili thoshte se minat ishin vendosur  ë gjatë Luftës së Dytë Botërore nga gjermanët, për të penguar sulmin aleat kundër tyre e për të bllokuar hyrjen në Kanalin e Korfuzit.

Minat detare në Kanalin e Korfuzit

Ky ishte pretendimi i palës shqiptare në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, ndërsa versioni anglez rrëfehej ndryshe…

Më 15 maj 1946, drejt nesh erdhi një anije e vogël peshkimi me njerëz të armatosur dhe kërkoi të largoheshim nga ujërat e tyre, pa na afruar asnjë lloj ndihme, e më pas u larguan. Më 22 tetor 1946, në afërsi të kepit të Varesë, dy destrojerët tanë ranë në minat e vendosura nga shqiptarët. Dy destrojerët tanë ranë në mina, duke u dëmtuar e fundosur, ku humbën jetën edhe disa marinarët tanë.Ishin këto pjesë të shkëputura nga ditari i anijes flamurmbajtëse angleze, paraqitur në gjyqin e Hagës).

Më 10 nëntor 1946 qeveria angleze njoftoi qeverinë shqiptare, ndërsa më 12 nëntor 1946 nisi operacionin për çminimin e bregdetit të Shqipërisë. Me skuadronin e 15-të të Flotës Angleze, i përbërë nga aeroplanmbajtëse, kryqëzorë, fregata, nëndetëse, minahedhëse, të komanduara nga admirali Konnahan filluan lundrimin nga Butrinti në Karaburun ; gjë të cilën e përsëritën edhe me 13 nëntor 1946.

Në Hagë pala britanike pretendonte se minat në ujërat e Kanalit të Korfuzit i ka vendosur Shqipëria në kundërshtim me konventat ndërkombëtare, duke sjellë dëmtimin e dy destrojerëve dhe vrasjen e 44  marinarëve anglezë dhe ku 42 mbetën të plagosur.

Gjykata e Hagës mori në shqyrtim çështjet nëse Shqipëria  kishte përgjegjësi për rënien në mina e dëmtimin e dy destrojerëve anglezë në kanalin e Korfuzit dhe a e ka për detyrë të paguajë kompensim dhe a e kishin  dhunuar anijet luftarake angleze sovranitetin e Shqipërisë ?

Megjithëse gjykata e pranoi faktin se në datat 12 nëntor 1946 dhe 13 nëntor 1946 futja e anijeve luftarake angleze në ujërat shqiptare, ku ndodhi incidenti, ishte shkelje e sovranitetit të Shqipërisë, vendimi përfundimtar e fajësoi Shqipërinë për incidentin, dhe lëshoi një vendim, sipas të cilit Shqipëria duhej ti paguante 844.000 sterlina  Mbretërisë se Bashkuar.

Qeveria shqiptare refuzoi njohjen e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Qeveria britanike kërkoi bllokimin e arit të gjetur në Gjermani mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore dhe që do tu shpërndahej proporcionalisht shteteve,  të cilave Gjermania u kishte grabitur thesaret e bankave kombëtare…

Ari shqiptar i vjedhur nga gjermanët  do të kthehej në Shqipëri, por  pikërisht atë kohë midis Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe lindi konflikti i  incidentit të kanalit të Korfuzit.

Çështja e arit shqiptar do të përfundonte sërish në dyert e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Qeveria italiane gjithashtu pretendonte se edhe ajo kishte të drejtë për këtë ar, si kompensim të pjesshëm të kredisë italiane të konfiskuar nga qeveria shqiptare më 1945.

“Paris-presse”  botoi më 1951 dhe 1954-n, dy shkrime në lidhje me debatin mbi çështjen e arit shqiptar midis Anglisë, Italisë dhe sigurisht Shqipërisë,

Më 3 maj 1951 Britania e Madhe, Franca dhe Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë të caktojë një ndërmjetës për të përcaktuar fatin e 2.900.000 dollarëve ar (afërsisht një miliard franga franceze), që pretendohen si nga Italia ashtu edhe nga Shqipëria.

Mësojmë se në rast se ky ar i jepet Shqipërisë, Anglia do të kërkojë të respektohen të drejtat e saj mbi stokun e metalit të çmuar si arsye e vendimit të Gjykatës së Hagës kundër Shqipërisë, duke dënuar këtë vend me 843.947 sterlina për dëmet e shkaktuara, kompensim për humbjen e jetëve dhe dëmtimin e pajisjeve të pësuara nga Marina Mbretërore (Royal Navy) në ngushticën e Korfuzit pas shpërthimit të luftanijeve britanike në zonat e minuara të paidentifikuara.

Më 15 qershor të 1954-s, Gjykata ndërkombëtare jep  një gjykim ku e deklaron veten të paaftë në rastin e 2.388 kilogramëve të arit monetar, pronë e Bankës Kombëtare të Shqipërisë, të cilën gjermanët e kishin sekuestruar në Romë, më 1943. Një arbitrazh, në bazë të marrëveshjeve të Uashingtonit, ia kishte dhënë arin Shqipërisë, e cila do t’ia jepte në vijim qeverisë britanike si kompensim të pjesshëm të dëmeve që i kishte shkaktuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë