Ekonomi

Shqipëria e fundit për konsum, por dhe me çmimet më të larta në rajon

Nga Gazeta ‘SI’ – Shqipëria mban vendin e parafundit në Europë për të Prodhimin e Brendshëm Bruto për Frymë, duke u përmirësuar me një pozicion nga viti 2022 në vitin 2024.

Matjet e Eurostat i referohen vitit 2024 dhe PBB për frymë për Shqipërinë është sa 42% e mesatares europiane, 100%. Sipas shpjegimit të Eurostat, PBB për frymë tregon mirëqenien ekonomike të vendeve sipas fuqisë ekonomike që prodhon një person.

Në të njëjtin raport, Eurostat analizon edhe konsumin individual për frymë, AIC, që mat fuqinë blerëse sipas vendeve, ku përsëri Shqipëria është e parafundit, me 41.9% të mesatares europiane nga 41% që ishte më herët.

Ndërkohë, një element shqetësues i raportit është fakti se Shqipëria, pavarësisht se renditet ndër vendet e fundit për të ardhurat dhe konsumin, ka nivelet më të larta të çmimeve të konsumit në rajon, 64.2. Kjo do të thotë se fuqia reale blerëse e qytetarëve shqiptarë është edhe më e kufizuar, krahasuar me vendet fqinje.

Vendin e Shqipërisë, pra të fundit, në 2024-n e ka zënë Bosnjë Hercegovina, e cila duket se ka bërë hapa pas. Në rajon, Mali i Zi rezulton me treguesit më të lartë, ndërsa Kosova nuk futet në renditje. Në vitin 2024, Luksemburgu kishte nivelin më të lartë të Konsumit për frymë ndër të gjitha 36 vendet e përfshira në këtë krahasim, me 46% mbi mesataren e BE-së, por edhe të PBB-së për frymë, 245%. Pas tij renditej Norvegjia, me 21% mbi mesataren e BE-së.

Të dhëna indirekte

Rreth 30–35% e ekonomisë është informale, sipas Bankës Botërore. Punësimi informal shpesh siguron paga më të ulëta dhe mungesë sigurimesh, që ndikon fuqinë reale blerëse.

Familjet shqiptare marrin rreth 1.5 miliardë euro në remitanca në vit, që është një pjesë e konsiderueshme e konsumit familjar. Kjo tregon se pa këto të ardhura, fuqia blerëse do të ishte edhe më e kufizuar.

Sipas INSTAT, familjet shqiptare shpenzojnë mbi 30% të të ardhurave për ushqime dhe energji, shumë më shumë se mesatarja europiane (rreth 20%). Kjo redukton mundësinë për konsum të mallrave dhe shërbimeve të tjera.

Këto të dhëna tregojnë se konsum i ulët dhe fuqia reale blerëse e shqiptarëve nuk është vetëm një problem statistik, por pasqyron një realitet struktural: çmimet e larta, pagat e ulëta, informaliteti dhe varësia nga remitancat kufizojnë ndjeshëm standardin e jetesës. Ekspertët thonë se reforma në pagat minimale, menaxhimi i çmimeve dhe formalizimi i ekonomisë janë hapa të domosdoshëm për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve. Por siç duket prej vitesh jemi ende larg këtij qëillimi dhe me ritme të ngadalta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë