Nga Gazeta ‘SI’ – Shqipëria do të bashkëpunojë me Greqinë për një projekt-pilot që synon të godasë kontrabandën dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Projekti do të prekë vetëm pikën kufitare të Kakavijës, si dakordësi midis drejtorisë së Doganave në vend dhe asaj greke.
Lajmin e dha drejtori i Doganave të Greqisë, Dimitrios Bourikos në një takim me qeveritë e rajonit.
Pjesë e takimit ishte edhe zv.kryeministrja Belinda Balluku e cila tha se qëllimi kryesor i vendeve te Ballkanit është thjeshtësimi i procedurave doganore dhe ulja e kohës, si një masë për lehtësimin e tregtisë rajonale.
“Pas shumë sfidash, jemi sot më afër se kurrë portës së dikurshme të mbyllur, që sot është gjysmë e hapur dhe besojmë fort në angazhimin e administratës shqiptare dhe në vullnetin politik të vendeve anëtare të BE-së për të na mirëpritur. Çdo institucion që bashkërendon punën me vendet e BE-së luan një rol kyç në rrugën tonë drejt anëtarësimit, dhe doganat janë pjesë e rëndësishme e strukturave shtetërore me detyra specifike në këtë proces të integrimit europian”, pohoi Balluku.
Ministri i Financave dhe Ekonomisë Petrit Malaj theksoi rëndësinë e përafrimit të procedurave doganore me të BE-së me shtrirjen e investimeve në tregje të reja. “Për të arritur me sukses drejt objektivit të BE apo finishi sipërmarrjet tona do duhet të jenë të gatshme të konkurrojnë në këtë treg unik të BE dhe të japin kontributin e tyre për një ekonomi të fortë të përbashkët natyrisht që ne duam të shohim që sipërmarrjet tona të jenë të suksesshme dhe të rriten. Duam që ndërmarrjet tona të tërheqin sa më shumë investime të huaja dhe të shtrihen në tregje të reja. Kjo kërkon një angazhim të vazhdueshëm. Një pikë kyçe është përmirësimi i efikasitetit të administratës doganore. Ato janë një shtyllë strategjike për nxitjen e zhvillimit ekonomik. Jemi të përkushtuar për të përafruar të gjitha procedurat tona me BE. Rritjen e bashkëpunim rajonal mes administratave doganore të Ballkanit Perëndimor dhe avancimi i korridoreve të gjelbër dhe të kaltër për të mundësuar kalime më të shpejta dhe më të integruara në kufi”, theksoi ndër të tjera Malaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.