Lajme

Shqipëria kundër aleatëve myslimanë, pro gay

Respektimi të drejtave të komunitetit LGBTI është bërë shkas që Shqipëria të faktorizohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, duke u dalë për herë të parë kundër aleatëve të saj myslimanë.

Më 17 nëntor Finlanda prezantoi një rezolutë për mbrojtjen e grupeve vulnerabël nga të gjitha vendet anëtarë, në mesin e të cilave ishte edhe komuniteti LGBTI. Por kjo nismë duket se nuk u ka pëlqyer vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, pjesë e të cilës është edhe vendi ynë.

Dy ditë më vonë, OBI-ja paraqiti një amendament duke kërkuar heqjen komunitetit LGBTI nga lista e grupit vulnerabël, një nismë që duket se u kundërshtua hapur nga delegacioni shqiptar atje.
Gjatë mbledhjes së Komitetit të Tretë të OKB-së, Bangladeshi foli në emër të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, por Shqipëria tha se nuk donte të ishte pjesë e këtij amendamenti. 


Përfaqësuesi i saj tha se Shqipëria ishte dakord me listën finlandeze për grupet vulnerabël, e cila  përfshinte paragjykimet për shkak të orientimit seksual dhe identifikimin gjinor. Madje, sipas mediave ndërkombëtare, Shqipëria ishte përfolur gjatë se mund të votonte kundër amendamentit të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik. Pas kundërshtimit të Tiranës zyrtare, edhe Turqia dhe Tunizia thanë mund ta rishikonin këtë amendament.

Shqipëria u bë pjesë e kësaj organizate në vitin 1992, por kjo ishte hera e parë që dilte kundër një prej rezolutave të saj në OKB.

Pak muaj më parë Shqipëria mori pjesë në samitin e OBI-së, që e shpalli Jeruzalemin Lindor si kryeqytetin e Palestinës dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndjekë hapat e saj. Samiti u thirr jashtë radhe nga Turqia, që mban presidencën e radhës të organizatës dhe ishte si një kundërpërgjigje ndaj vendimit të presidentit Trump për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit.

Ftesa për këtë samit iu dërgua të gjithë kryeministrave dhe ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të organizatës, por Shqipëria u përfaqësua në nivel ambasadori. Të 57 anëtarët e organizatës, mes të cilëve edhe vendi ynë, u kërkuan vendeve të tjera që të njohin shtetin e Palestinës dhe Jeruzalemin Lindor, si kryeqytetin e tij të pushtuar.

Organizata për Bashkëpunim Islamik

Organizata e Bashkëpunimit Islamik, e përfaqësuar nga Fondi Islamik për Solidaritet, zakonisht jep ndihmë financiare për projekte zhvillimi dhe edukimi në disa shtete anëtare, arsye kjo që ka bërë që Tirana zyrtare t’i qëndrojë besnike shumë prej vendimeve të kësaj aleance. Por kundërshtimi i shkeljes së të drejtave të komunitetit LGBTI duket se shënoi një pikë kthese.

Por sa respektohen të drejtat e këtij komuniteti në vendin tonë?

Shqipëria konsiderohet si një vend konservator, specifikisht në reagimet publike lidhur me të drejtat e personave LGBT por është ndër vendet e pakta në Europë që ka miratuar një ligj që ndalon diskriminimin me bazë identitetin gjinor. Në vitin 2015 shoqatat ndërkombëtare për këtë komunitet e renditën Shqipërinë në vendin e 19 nga 49 shtetet europiane të monitoruara në lidhje me respektimin e të drejtave LGBT.

Po megjithatë, shoqëria shqiptare vijon të jetë e mangët në respektimin e të drejtave të njeriut, deri diku për shkak të paragjykimeve e në një pjesë të konsiderueshme për shkak të mosdijes. Raporti i fundit mbi respektimin e të drejtave të njeriut fokusuar tek personat LGBT, dëshmoi se diksriminimi ndaj këtyre personave është prezent pavarësisht përmirësimeve të konsiderueshme që i janë bërë kuadrit ligjor për mbrojtjen e tyre. Studimi evidenton se ndryshimi i qëndrimit ndaj personave LGBT duhet të fillojë nga familja të cilës i përket një person i tillë pasi presioni ndaj tyre fillon pikërisht aty .

Sipas një studimi të Fondacionit për Shoqërinë e Hapur, personat LGBTI në Shqipëri përballen me ngacmime seksuale dhe diskriminim në rekrutim dhe punësim. Ndër sfidat e hasura prej tyre përfshihen vështirësia e gjetjes së punës nëse e kanë shfaqur hapur orientimin e tyre seksual, si dhe stresi i shkaktuar nga frika se mos të tjerët zbulojnë orientimin e tyre seksual.

Sipas studimit, transgjinorët, të cilët nuk mund ta fshehin dot lehtë identitetin e tyre, janë personat që vuajnë më së tepërmi nga diskriminimi në punësim dhe shpesh punësimi i tyre kufizohet në industrinë e seksit, e cila është e ndaluar me ligj. Ata nuk mund të marrin dokumente në gjininë e tyre të preferuar, çka do t’u mundësonte të kërkonin punë.

Ai bën të ditur po ashtu se në institucionet arsimore, personat LGBTI janë objekt diskriminimi, ngacmimesh dhe keqtrajtimi. “Ekziston nevoja që mësuesit dhe nxënësit e studentët të trajnohen në lidhje me dispozitat e ligjit kundër diskriminimit për të siguruar sigurinë fizike dhe mirëqenien mendore të të rinjve dhe të rejave LGBTI.”, thotë studimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë