Lajme

Shqipëria, çatia e të refuzuarve nga BE?

Disa vende të Bashkimit Europian janë përfshirë në bisedime për të financuar dhe më pas ngritur kampe refugjatësh, ku do të strehohen të gjithë azilkërkuesit e refuzuar nga shtetet anëtare.

Kryeministri danez, Lars Lokke Rasmussen tha për mediat vendase se në bisedime janë përfshirë vende si Gjermania, Holanda dhe Austria, ndërsa disa shtete të tjera kanë shprehur interes për këtë ide.

Kryeministri danez, Lars Lokke Rasmussen

“Jam optimist! Bazuar në bisedimet me udhëheqësit e tjerë të Bashkimit Europian dhe dialogun që po zhvillohet në nivel zyrtar hapat e para mund t’i hedhim që këtë vit”, tha ai gjatë një fjalimi në përvjetorin e Kushtetutës daneze.

Bisedimet u konfirmuan edhe nga Kancelari austriak, Sebastian Kurz. As kancelari austriak nuk përmend emrin e shtetit, por jep një të dhënë të rëndësishme; që vendi strehues duhet të jetë jashtë Bashkimit Europian.

“Kemi propozuar shumë kohë më parë ngritjen e një mekanizmi mbrojtës në një shtet jashtë BE”, deklaroi ai në Bruksel.

Për momentin nuk bëhet fjalë për një nismë të Bashkimit Europian, por të disa vendeve anëtare. Rasmussen dhe Kurz konfirmuan që të dy se disa nga qeveritë e vendeve të BE-së po bisedojnë drejtpërdrejtë me njëra-tjetrën për këtë çështje dhe jo përmes Brukselit.

Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker komentoi për Reuters propozimin në fjalë. Ai tha se për momentin nuk e kundërshton këtë nismë.

“Besoj se mbrojtja kundër emigracionit të paligjshëm është një çështje që i takon të gjithë Europës, po aq sa edhe vendeve anëtare të BE-së dhe nuk është detyra ime që të kundërshtoj një nismë të tillë”, tha ai.

Gjithçka është në fazën e bisedimeve dhe nuk ka ende një plan, por pyetja që ngrihet më të drejtë është se cili do të jetë ky vend që do të strehojë të refuzuarit e BE-së? Sebastian Kurz foli për një vend jashtë Unionit, ndërsa Kryeministri danez, Rasmussen zbulon një kriter tjetër. “Një vend jashtë BE-së, por në Europë dhe jo fort tërheqës për emigrantët”, citohet ai nga mediat vendase.

Pikërisht nga këto deklarata kanë marrë shkas një sërë shkrimesh në media, kryesisht online, në Shqipëri. Pyetja që ngrihet prej tyre është nëse vendi i menduar nga Rasmussen dhe Kurz është Shqipëria, apo jo?

Basha në konferencën e përbashkët me dy deputetët austriakë, Reinhold Lopatka dhe Michael Hammer

Nga Qeveria nuk ka asnjë reagim, as pohues dhe as mohues për këto lajme, por nga opozita komentoi Lulzim Basha, fill pas një takimi me deputetë të partisë së Kancelarit, Sebastian Kurz. Ai e quajti lajm të rremë të nxitur nga vetë Qeveria për të përfituar hapjen e negociatave.

“Është një karamele në gojën e hidhëruar të Europës për të marrë një sinjal pozitiv për hapjen e negociatave”, deklaroi kreu i PD-së.

A do të strehojë Shqipëria refugjatët e refuzuar të BE-së? Për momentin kjo mbetet një pyetje që koha do t’i japë përgjigje, por e sigurtë është që Shqipëria plotëson të tre kriteret e kërkuara nga Rasmussen dhe Kurz: nuk ëshë anëtare e BE-së, është gjeografikisht në Europë dhe nuk është një vend tërheqës për emigrantët.

Një tjetër e dhënë që përforcon akoma më shumë këto zëra është shkuara. Vendi ynë ka një përvojë të tillë, atë të strehimit të muxhahedinëve, pas një marrëveshjeje me SHBA…dhe e fundit fare, siç edhe populli thotë: ku ka zë, s’është pa gjë!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë